Prishtina së shpejti me pesë shkolla të reja

Prishtinë | 18 Mar 2018 | 13:53 | Nga

Banorët e disa lagjeve në Prishtinës po përballen me mungesë të objekteve shkollore. Fëmijët janë të detyruar të shkojnë në ato shkolla që i kanë më afër, por shpesh me klasë të ngarkuara deri në dyzet nxënës. Këtë problem e pranojnë edhe zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, të cilët shpresojnë se së shpejti do të fillojë ndërtimi i pesë objekteve shkollore. Sipas tyre, kjo pritet të zbusë gjendjen e mbingarkesës me nxënës në disa shkolla.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, tha për Radio Kosovën se shumë shpejt pritet të fillojë ndërtimi i pesë objekteve shkollore në kryeqytet, të cilat do t’i plotësojnë nevojat e banorëve në lagjet: Kalabri, Arbëri, Mat, Sofali dhe Veternik. Ai sqaroi se realizimi i këtij projekti do të financohet nga Banka Botërore, pasi është arritur marrëveshja për një kredi që do të mbështesë ndërtimin e pesë objekteve shkollore në qytetin e Prishtinës.

“Kemi mungesa të lokaleve sidomos në qendër të Prishtinës, prandaj me Bankën Botërore ata e kanë marrë përsipër ndërtimin e pesë objekteve shkollore në qytetin e Prishtinës sipas nevojave që do t’i përcaktojmë ne. Ato shkolla do të ndërtohen në lagjet: Kalabri, Sofali, Mat, Arbëri dhe Veternik. Shkollat do të jenë më standarde të fundit, i plotësojnë të gjitha kërkesat e fëmijëve dhe komunitetit, do të mirëmbahen për njëzet vite nga kompania e ndërtimit. Ndërtimi i këtyre shkollave do ta zbusë shumë problemin e përfshirjes së fëmijëve sidomos në ketë pjesën urbane të qytetit ” ka thënë Salihaj.

Salihaj theksoi se ndërtimi i këtyre objekteve do të bëhet në bazë të nevojave, pasi, siç tha ai, numri i madh i nxënësve nëpër klasa po e pamundëson realizimin e plan programit në tërësi, dhe ndërtimi i tyre do të lehtësojë shumë punën për zhvillimin e mësimit sipas planit, duke mos e tejkaluar numrin e nxënësve nëpër paralele.

“Në jemi duke i bërë përgatitjet e fundit, jemi duke i përcaktuar standardet bashkë në bazë të normativit, dhe jemi po ashtu duke u marrë me zonimin ku do të ndërtohen shkollat, në mënyrë që t’ ju paraqesim atyre fakte se sa fëmijë do të jenë të përfshirë në këto shkolla. Jemi duke paraparë edhe si do të jetë shtimi demografik i popullatës në ato lagje ku do të ndërtohen shkollat. Brenda mandatit tim katër vjeçar do të përfundojë ndërtimi i këtyre shkollave” tha Salihaj.

Salihaj bëri të ditur se shkollat do të jenë moderne të tipit evropian dhe do të mirëmbahet 20 vjet nga kompania e ndërtimit. Ai tha se kapaciteti i tyre do të përcaktohet nga Drejtoria Komunale e Arsimit, duke marrë për bazë numrin e banorëve që është në rritje, dhe premtoi se brenda mandatit të tij katër vjeçar, do të përfundojë ndërtimi i këtyre objekteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme