Në Vetëvendosje sot pritet të ketë një kthesë të madhe sa i përket qëndrimit për kryeparlamentarin.
Është vet Glauk Konjufca që sot do ta paralajmërojë dorëheqjen, duke iu dorëzuar kështu presionit dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Shqyrtimi i dorëheqjes vjen si pasojë e pamundësisë së bërjes së qeverisë nga mandatari, Albin Kurti.
Gjatë negociatave me LDK-në, VV ishte pajtuar që kryetari i Kuvendit të jetë nga rradhët e LDK-së, pra deri në zgjedhjen e presidentit.
Por, në seancën konstituive ndryshuan të gjitha matematikat me zgjedhjen e Konjufcës si kryeparlamentar.
Ky veprim i VV-së solli krizën në negociatat me LDK-në, dhe rritjen e mosbesimit të LDK-së në një koalicion me Vetëvendosjen,.
Si pasojë, negociatat VV-LDK janë në prag të dështimit.
Situatat pritet të ndryshojë përsëri sot, teksa VV e sheh dorëheqjen e Konjufcës si të vetmen formë për shpëtim dhe formim të qeverisë.
Ndërkaq, nga VV nuk e kanë pohuar mirëpo as mohuar një informacion të tillë.
Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku e pyetur nga lajmi.net për dorëheqjen e Konjufcës, ka thënë se krejt çka ajo mund të deklarojë është se partitë do të kenë një takim, ku nuk mund të parashikohet se çfarë do të ketë në tavolinë.
“Ajo që mund të them është se pritet që të ketë takim, pra bazuar në krejt rrethanat që janë edhe vullnetit politik për të pas takim. Besoj që këto dy subjekte do të bëjnë përpjekje që të realizojnë pritjet e qytetarëve, pra për asgjë tjetër nuk do të deklarohem, sepse marrëveshja bëhet nga palët që ulen aty të bisedojnë dhe do të bëjnë përpjekje ta bëjnë një zgjidhje”, ka thënë Kollçaku.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë afatin e fundit Vetëvendosjes, që deri të dielën ta pranojë ose refuzojë ofertën e saj, ku përfshihet që kryeparlamentari t’i takojë asaj deri në zgjedhjen e presidentit, ku më pas kjo pozitë do t’i kalojë automatikisht Vetëvendosjes.