Drejtuesit e basketbollit kosovar, por edhe basketbollistët dhe trajnerët e Kosovës vazhdojnë të jenë të shokuar për ndarjen nga jeta të lojtarit Gazmend Sinani.
Reprezentuesi i Kosovës, Sinani, humbi jetën në një aksident rrugor në orët e para të së shtunës në Gjakovë, ku përfaqësuesja ishte e vendosur. Sinani, që ndërroi jetë në moshën 27-vjeçare, është varrosur të shtunën në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me rastin e aksidentit, në veturë së bashku me Sinanin ishin edhe basketbollistët e tjerë të Kosovës, Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina, si dhe fizioterapeuti Kujtim Shala. Ata kanë pësuar lëndime trupore, por janë jashtë rrezikut për jetë.
Sinani ishte prej lojtarëve të mirë të gjeneratës së tij. Ai nisi basketbollin në grupmoshat e reja në Prishtinë. Më pas u zhvillua në Turqi dhe luajti për të rinjtë e këtij vendi. Në Kosovë luajti për skuadra si Prishtina, Bashkimi e Rahoveci e po ashtu karrierë bëri në skuadra të ndryshme në Turqi. Në edicionin e fundit ishte në Angli. Ka fituar shumë trofe në basketbollin kosovar.
Në Gjakovë përfaqësuesja po përgatitej për dy ndeshjet e fundit të raundit të parë eliminator për botërorin e vitit 2019. Të enjten më 28 qershor Kosova duhet të luajë ndaj Hungarisë, ndërsa të dielën më 1 korrik ndaj Polonisë. Të dyja ndeshjet është paraparë të luhen në Prishtinë, por për fatin e tyre do të vendosë FIBA.