Prizren: Kapet në flagrancë fajdexhiu, i mori viktimës mbi 78 mijë euro për 11 mijë euro borxh

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren, ia ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit B.H., për veprën penale “fajdja”.

Sipas gjykatës, i pandehuri B.H, nga qershori i vitit 2016 deri më 22 prill të këtij viti, në Prizren ia ka marrë nga 600 euro kamatë për dhënien e borxhit të dëmtuarit F.S., dhe prindit të tij për një borxh prej 6 mijë euro që këta të fundit ia kanë marrë të dyshuarit.

“I dëmtuari F.S., nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6,000 euro vazhdon të paguaj nga 600 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49,200 (dyzet e nëntë mijë e dyqind) euro”, thuhet në njoftimin e gjykatës, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, sipas gjykatës, i dëmtuarit F.S., është detyruar që sërish të marrë një borxh prej 3 mijë euro nga i pandehuri B.H., më 18 shkurt 2018 ndërsa në mars edhe 2 mijë euro të tjera, ku për këtë shumë, për çdo vonesë i dëmtuari F.S., është dashur të paguaj 500 euro kamatë mujore.

“I dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5,000 euro vazhdon të paguaj nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë të pandehurit shumën prej 29,000 (njëzetë e nëntë mijë) euro, në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 (shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind) euro, kur i dëmtuari nuk arrin t’ i paguaj kamatat, i pandehuri B.H., e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata ditore, me ç’ rast nga i dëmtuari më datë 22.08.2023, i pandehuri merr 12,800 (dymbëdhjetë mijë e dyqind) euro dhe arrestohet në flagrancë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Të ngjashme