Ekzekutivi i Komunës së Prizrenit, të martën, ka raportuar para qytetarëve për punët e realizuara në 6-mujorin e parë të këtij viti. Në këtë takim, lidershipi komunal ka informuar qytetarët për zotimet dhe projektet e jetësuara. Në anën tjetër, qytetarët kanë paraqitur kërkesat e ndryshme për rregullimin e infrastrukturës, si dhe për investime të tjera publike për përmirësimin e jetesës në vendbanimet e tyre.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, për më shumë se 45 minuta ka paraqitur raportin e punës për pjesën e parë të vitit. Ai ka theksuar se në fushatën elektorale ka prezantuar 44 zotime, prej të cilave 12 janë realizuar, 29 janë në proces dhe 3 sosh që nuk kanë filluar.
“Siç dihet, prioritetet tona të qeverisjes janë shërbimet efikase, regjenerimi urban, arsimi cilësor, zhvillimi i bujqësisë, trashëgimisë kulturore, turizmit, zhvillimi ekonomi dhe shëndetësia funksionale”, ka thënë Haskuka, duke i numëruar në vijim disa nga projektet kryesore të realizuara apo që janë në realizim e sipër.
Ai ka theksuar se me Bankën Botërore po punohet në thjeshtimin e procedurave administrative, ku ka përfunduar analiza e 170 shërbimeve, ku 70 për qind prej tyre edhe mund të thjeshtohen. Pas kësaj ka përmendur projektin “One Stop Shop” në administratë që pritet të përfundojë brenda këtij viti