Komuna e Prizrenit, të hënën, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me përfaqësues nga shteti italian, me qëllim të shqyrtimit të bashkëpunimit të mundshëm për zejen e filigranit.
Sipas një komunikate, pas takimit të mëparshëm të mbajtur në Pejë me përfaqësues të Ambasadës italiane, të ndërmjetësuar dhe organizuar nga KFOR-i italian, Komuna e Prizrenit, ka filluar bashkëpunimin e mirëfilltë në fusha konkrete, shkruan sot Koha Ditore.
“Në vazhdën e këtij bashkëpunimi, të hënën nënkryetari i Komunës, Eshref Memaj, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, si edhe me përfaqësues të zejes së filigranit nga qyteti ynë, pritën në takim përfaqësuesit nga shteti italian, për bashkëpunim në fushën e filigranit. Në takim u diskutuan mundësitë dhe format e bashkëpunimit që zeja e filigranit të gjejë mbështetje në vendet fqinjë, me theks të veçantë në shtetin italian”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.