Procedimi i demarkacionit shtyhet pas mocionit

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 10:38 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës ka shtyrë mbledhjen e paraparë të mbahej sot, ku do të shqyrtohej dhe procedohej për miratim në Kuvend Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Anëtarët e tjerë të kabinetit kanë ardhur në mbledhje, në orën 10, por jo edhe kryeministri Isa Mustafa, i cili ndodhej në një takim me kreun e PDK-së, Kadri Veseli, raporton Ekonomia Online.

Në një njoftim zyrtar, Qeveria tha se pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Të ngjashme