Proces i ri gjyqësor ndaj drejtuesve të shërbimit serb të sigurisë

Prishtinë | 14 Qer 2017 | 09:25 | Nga

Katër vjet pas një lirimi të diskutueshëm dy ish-shefat e shërbimit sekret serb, sërish duhet të përgjigjen para drejtësisë për krime të rënda në luftën e Bosnjës në vitet 1991 deri më 1995. Jovica Stanisiç (66 vjeç) dhe Franko Simatoviq (67 vjeç) janë përgjegjës për “fushatë terrori” të grupeve paramilitare ndaj myslimanëve dhe kroatëve, tha prokurori i OKB-së, Douglas Stringer në Hagë. Përmes vrasjeve, dëbimeve dhe shkatërrimeve asokohe synohej të krijohej një “Serbie e madhe e pastër etnike”.

Dy të akuzuarit kanë qenë të besuarit e ish-presidentit, jugosllav Sllobodan Millosheviq. Në procesin e parë ata u liruan në vitin 2013. Gjykimi i atëhershëm shkaktoi një valë indinjate ndërkombëtare, vetëm Serbia e përshëndeti lirimin. Por më pas gjyqtarët e OKB-së më 2015 në procesin e apelit e shpallën të pavlefshëm vendimin dhe udhëzuan hapjen e një procesi të ri.

Njësitë paramilitare elitë

Në procesin e parë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pati kërkuar dënim të përjetshëm. Të akuzuarit përbetoheshin për pafajësinë. Nën presidentin Millosheviq, Stanisiç ishte drejtuesi i shërbimit shtetëror të sigurimit dhe Simatoviq zëvendësi i tij. Të dy, sipas akuzës, po ashtu si edhe Millosheviqi ishin pjesë e një shoqate kriminale, që përpiqej t’i realizonte me çdo mjet qëllimet e veta.

Prokurori Stringer përshkroi në sallën e gjyqit, se si njësitë paramilitare elitë me vetëdije janë mobilizuar kundër grupeve të popullsisë jo-serbe. Të akuzuarit i kanë pajisur ata me armë dhe uniforma. Përmes “një fushate sistematike jo-serbët duhej të përndiqeshin prej territoreve serbe në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci”, tha Stringer.

Pritet vendimi në rastin Mlladiç

Procesi është ndër të fundit procese të mëdha ndërkombëtare për krimet gjatë luftërave në Ballkan. Në prag të mbylljes është edhe procesi kundër ish-gjeneralit serb Ratko Mlladiç. Ai ndër të tjera akuzohet për gjenocidin në Srebrenicë. Vendimi pritet të shpallet në nëntor. (DW)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme