Pak muaj afat i kanë mbetur Ligjit të ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë, ndërkohë që ka komuna që ende nuk e kanë filluar këtë proces. Njëra prej tyre është ajo e Obiliqit.
Zyrtarët e saj kanë thënë se nuk kanë kapacitete për të filluar këtë proces. Këtë shqetësim thonë se e kanë shprehur edhe në kolegjiume me drejtorë të komunave të tjera. Në përgjigjet e Zyrës për informim thuhet se do të angazhohen që ta zgjidhin këtë problem, shkruan sot Koha Ditore.
“Në kuadër të Drejtorisë për Planifikim Urban, Kadastër dhe Pronë të Komunës së Obiliqit nuk ka filluar legalizimi i objekteve pa leje me ligjin e ri, por si Drejtori kemi hartuar organogramin e zhvillimit të projektit për legalizimin e objekteve, ku një gjë e tillë është vlerësuar si e pamundur për shkak të mungesës së burimeve njerëzore. Një shqetësim të tillë si Drejtori e DPUKP-së e kemi shprehur edhe në takimet e mbajtura me kolegjiumin e drejtorëve të komunave të Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit.
“Ne si Drejtori e DPUKP-së së Komunës së Obiliqit do të angazhohemi dhe do të punojmë në zgjidhjen dhe finalizimin sa më të shpejtë të legalizimit të objekteve pa leje”.
Zyrtarët e Obiliqit nuk kanë treguar se sa është numri i objekteve pa leje në këtë komunë, as sa kishin aplikuar për legalizim me Ligjin e vjetër, sa kërkesa ishin miratuar, etj.
Por në të dhënat e vitit 2015 që zyrtarët e kësaj komune ia kishin dërguar gazetës del që gjatë procesit të legalizimit (me Ligjin e vjetër) kanë aplikuar 3.543 qytetarë.