Në Qendrën e Rinumërimit të Votave deri më tani janë rinumëruar 969 vendvotime apo në përqindje 68.87.
Zëdhënësi i KQZ-së,Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online se procesi i rinumërimit të votave mund të përfundojë të dielën.
“Po besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces dhe sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i”.
Ai ka treguar për Ekonomia Online se mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë është rreth 130 vendvotime.
“Duke qenë se kanë mbetur për t’u rinumëruar 438 vendvotime pasi deri të mërkurën në mesnatë janë rinumëruar 969 vendvotime apo 68.87%, po besojmë se procesi i rinumërimit mund të përmbyllet një ditë më herët, të dielën”.
“Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit dhe brenda 7.5 ditësh mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime. Rinumërimi mund të kryhet një ditë më herët të dielën”.
Rinumërimin e votave e ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), bazuar në ankesat e partive politike ndaj rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.