Prodhuesit nga Kosova kërkojnë më shumë hapësirë për t’i plasuar produktet e tyre apo për të investuar në Shqipëri. Ata shprehen se në përgjithësi prodhuesit nga Shqipëria janë të hapur për tregti të lirë, por disa grupe të interesit po pengojnë një gjë të tillë.
Patatja e Kosovës është bërë sinonim i barrierave tregtare, por sipas Astrit Panxhës nga Klubi i Prodhuesve Kosovarë, janë edhe prodhime tjera që kanë pengesa të ndryshme për t’u plasuar në Shqipëri.
“Pse birra Peja duhet të ketë aq shumë vështirësi për të depërtuar në tregun e Shqipërisë, ndërsa birrat nga Shqipëria që depërtojnë në Kosovë nuk kanë asnjë pengesë. Patatja e Kosovës është bërë sinonim i marrëdhënieve tona tregtare për fat të keq. Nuk ka justifikimeve më se barnat e Kosovës po kanë vështirësi të depërtojnë në Shqipëri, derisa i plotësojnë të gjitha kushtet”, shprehet Panxha për Radio Kosovën.
Kurse Astrit Shabani nga një kompani prodhuese, potencon çështjen e sigurisë si një gjë të rëndësishme e cila po bën që bizneset nga Kosova të ngurrojnë të plasojnë produkte apo të investojnë në Shqipëri.
“Një shqetësim i neve prodhuesve nga Kosova për të marrë pjesë në tregun e Shqipërisë në çfarëdo forme apo me prezencë të produkteve apo në investime është siguria, sepse vitet e fundit nuk është se kemi kaluar përvojë të mirë në sigurinë individuale apo në sigurimin e pronës së investuar atje. Është një situatë jo e favorshme, personalisht kemi tentuar në forma të ndryshme të jemi prezent në treg, por ne akoma jemi në stad kur nuk e ndiejmë vetën të sigurt”, thotë Shabani.
Me gjithë këto probleme, Panxha nga klubi i prodhuesve thotë se problemi qëndron tek grupe të interesit e jo tek shumica e prodhuesve nga Shqipëria.
Ai shprehet se nuk duhet mbrojtur interesin e një individi, përmbi interesin e shtetit.
“Prodhuesit nga dy anët tregojnë që nuk kanë frikë nga tregtia e lirë, përkundrazi janë pro tregtisë së lirë, por duhet të identifikojmë cilat janë ato grupe të interesit që po e pengojnë tregtinë e lirë mes dy vendeve”, thotë Panxha.
Panxha shprehet se tregu i Shqipërisë duhet të jetë vazhdimësi e tregut të Kosovës, ku prezenca e produkteve të Kosovës duhet të ndodhë pa probleme.