Prodhuesit e grurit kërkojnë përkrahje nga ministrat Hoti e Bajrami

Prishtinë | 24 Qer 2016 | 18:38 | Nga

Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës ka mbajtur sot një takim me ministrin e Financave, Avdullah  Hoti, dhe ministren e Tregtisë dhe të Industrisë, Hykmete Bajrami, për të biseduar rreth përgatitjeve për korrje-shirjet e këtij viti.

Me këtë rast, drejtuesit e kësaj shoqate kanë prezantuar para zyrtarëve qeveritarë problemet me të cilat ballafaqohen prodhuesit e grurit në Kosovë dhe njëkohësisht kanë kërkuar përkrahje më të madhe nga qeveria për këtë kategori të bujqve. Ata kanë theksuar rëndësinë e prodhimit të kësaj kulture, si një produkt strategjik.

Gjithashtu, gjatë takimit është potencuar fakti se politikat bujqësore qeveritare duhet të fokusohen në drejtim të përkrahjes së prodhuesve të grurit për t’u rritur prodhimtaria e grurit në përgjithësi dhe të arrihet momenti kur Kosova do mund të siguronte 100% të nevojave për grurë dhe kështu të ulte apo eliminonte varshmërinë nga importi.

Është diskutuar për problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohen bujqit e Kosovës siç janë problemet me konkurrencën jolojale që vjen nga importi i grurit në rajon, informaliteti i lartë në këtë industri në tregun e Kosovës, si dhe për mundësinë e ndryshimit të mënyrës së subvencionimit të grurit në Kosovë.

“Është kërkuar që të përkrahen të gjithë bujqit e Kosovës duke iu krijuar kushte të barabarta sikurse edhe bujqit në rajon”, thuhet në një komunikatë shtypi, të lëshuar pas takimit.

Ministrat Bajrami dhe Hoti thuhet se kanë falënderuar anëtarët e Shoqatës për iniciativa të tilla dhe për informata të dhëna gjatë takimit.

“Ata kanë premtuar se do të përkushtohen më shumë për t’i përkrahur bujqit e Kosovës si dhe se do ta shqyrtojnë çdo propozim të arsyeshëm që vjen nga shoqata”, thekson komunikata që e përcjell Oda Ekonomike e Kosovës.

“Është vendosur që takimet e tilla të vazhdojnë të mbahen më shpesh në mënyrë që ministrat të jenë më pranë bujkut dhe t’i orientojnë politikat qeveritare bujqësore drejt përkrahjes sa më të madhe të zhvillimit të bujqësisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga Pal Gjuraj, kryetar i shoqatës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme