Rusia ka spostuar Mbretërinë e Bashkuar duke zënë vendin e prodhuesit të dytë më të madh të armëve në botë, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t’i eklipsojnë të gjithë konkurrentët e tyre në këtë drejtim.
Instituti Ndërkombëtar i Paqes në Stokholm thotë se shitjet nga 100 kompanitë kryesore të armëve në botë mbërritën në vitin 2017 nivelin e 398,2 miliardë dollarëve. Ky është viti i tretë radhazi që shitjet e armëve pësojnë një rritje të ndjeshme, me totalin e sivjetshëm që përfaqëson një shtim prej 2.5% krahasuar me vitin 2016 dhe 44% në raport me vitin 2002.
Pikërisht që prej atëherë, Britania mbante vendin e dytë në renditje, por ky pozicion tashmë i takon Rusisë. Firmat ruse kanë shënuar një rritje të ndjeshme të shitjes së armëve, sidomos këto 7 vitet e fundit, çka përkon me linjën e Moskës për shtimin e shpenzimeve mbi armatimet me qëllim modernizimin e forcave të saj të armatosura.
Sipas “think tank”-ut, kompanitë amerikane sakaq vazhdojnë të kryesojnë listën, ndërsa përfitojnë drejtpërdrejtë nga kërkesa e vazhdueshme e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për armë.