Prodhuesit në Kosovë e Shqipëri kërkojnë heqjen e barrierave

Prishtinë | 05 Shk 2018 | 14:01 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimi i Prodhuesve në Shqipëri, në një takim që mbajtën sot në Prishtinë, kanë adresuar kërkesa specifike qeverive lidhur me problematikat që sipërmarrjet e dy shteteve hasin gjatë ushtrimit të aktivitete  të tyre, raporton Ekonomia Online.

Heqja e pagesës për skanderin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar, import-eksport në relacionin Shqipëri-Kosovë, heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë dhe qarkullimin tregtar import-eksport, njohja e certifikimeve dhe analizave fitosanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave, ishin disa nga kërkesat që u paraqiten.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili mori pjesë në këtë tryezë me temën “Unifikimi i tregut shqiptar”, tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që ekonomia e Kosovës të kalojë në një stad tjetër të zhvillimit.

Limaj ka thënë se është duke u bërë një transformim ligjor që mbulon fushën e ekonomisë. “Prodhuesit kosovarë kanë qenë të ekspozuar pabarabartë dhe jo fer nga konkurrenca jolojale dhe me vështirësi kanë mbijetuar. Ne si Qeveri kemi marrë këshillat e dhomave tregtare dhe organizatave dhe kemi nisur të bëjmë disa hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturë ligjore dhe hapave tjera ku konkurrenca do të jetë fer dhe e barabartë për të gjithë”, ka thënë zëvendëskryeministri Limaj, duke shprehur besimin se Qeveria e Kosovës me kujdes do t’i trajtojë këto kërkesa dhe do t’i përgjigjet nevojave e kërkesave tuaja.

Zëvendëskryeministri Limaj theksoi se një treg ku nuk ka barriera dhe pengesa në qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve është në të mirën e përgjithshme. Me këtë rast, ai paralajmëroi reciprocitet në fushën e ekonomisë me vendet fqinjë.

“Nuk munden prodhuesit kosovarë të trajtohen siç janë trajtuar me herët. Jemi për treg të lirë dhe respektim të obligimeve ndërkombëtare, por nuk do të lejojmë që prodhuesit tanë të trajtohen jo të barabartë nga vendet fqinje. Kjo qasje do të ndryshojë në Kosovë. Prodhuesi i Kosovës nuk do të jetë më jetim. Do të ketë reciprocitet të plotë”.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, numëroi disa nga problemet me të cilat përballen prodhuesit vendës.

“Pengesat janë të shumta, është skeneri që e paguajmë, mosnjohja e certifikatave fitosanitare. Nuk duhet të shikohet interesi i një individi mbi interesin e shtetit. Po të kemi një treg të përbashkët edhe fuqia punëtore do të jetë më e madhe. Ne shpresojmë që këto kërkesa do të merren parasysh”, tha Panxha.

Filip Gjoka, president i Klubit të Prodhuesve në Shqipëri tha se barrierat në kufi duhet të hiqen në mënyrë që të zhvillohet një treg i suksesshëm.

“Duhet të hiqen barrierat qe kanë prodhuesit e Shqipërisë dhe Kosovës nëpër kufi.  Në rast se do të kemi barriera për Kosovën dhe Shqipërinë, atëherë do të kemi probleme edhe në punësim”, tha Gjoka.

Hasani: Vetëm duke i përkrahur prodhuesit vendës arrijmë zhvillim ekonomik e punësim

Mbrojtja e prodhuesve vendës si dhe krijimi i marrëdhënieve më të mira tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, është njëra prej synimeve kryesore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Kështu ka thënë ministri Bajram Hasani, në tryezën e përbashkët në Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, në të cilën u diskutua për sfidat e tregut të përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Hasani ka thënë se janë duke punuar shumë që të krijohen marrëdhënie më të forta në mes të dy vendeve.

“Që nga marrja e detyrës kemi qenë të interesuar që t’i ndërtojmë edhe më fort marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë. Gjatë vizitës së zëvendëskryeministres Mesi në Prishtinë e kemi dhënë një ide që të krijojmë një strategji kombëtare të zhvillimit tregtar. Ideja ka qenë që ata prodhues që kanë kapacitete dhe mundësi që të eksportojnë nga Kosova, t’u jepet edhe nga Shqipëria dhe anasjelltas. Ne e dimë saktësisht që bilanci tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është 3 me 1, dmth ne eksportojmë nga Shqipëria rreth 50 milion kurse importojmë 150 milion. Do të doja që ky bilanc të jetë më i lartë në të dy anët. Ne jemi këtu për të ju përkrahur”.

Ai ka thënë se në Kosovë në mesin e prodhuesve ka nga ata që mund të eksportojnë në Shqipëri, rajon por edhe në tregjet evropiane.

“Natyrisht nëse prodhuesit nga Kosova e shohin me interes ne do ta shtyjmë këtë çështje me qëllimin më të mirë që t’i jepet hapësirë dhe mundësi që t’i rrisin kapacitetet e tyre, sepse kemi disa prodhues që mund të eksportojnë jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e rajonit dhe ato evropiane”, ka shtuar Hasani.

Sipas tij, ministria që ai drejton është duke punuar shumë që t’i përgatitin bizneset duke i pajisur me certifikata, marka tregtare në mënyrë që produktet të jenë sa më cilësore dhe të pranueshme për tregun evropian.

“Në Ministrinë e Tregtisë jemi duke punuar shumë që t’i përgatisim bizneset, d.m.th markat tregtare që produktet të jenë sa më cilësore dhe të pranueshme në tregun evropian. Nëse dakordohemi ky është një lajm i mirë që prodhuesit e dy vendeve kanë rënë dakord. Ndoshta kjo duhet të shqyrtohet me kujdes se a do të ketë lirim për të gjithë apo do të bëjmë një listë. Ne që nga fillimi kemi qenë në krahë të prodhuesve vendor, kemi marrë disa masa, efektet e të cilave janë vërejtur”, është shprehur i pari i MTI-së.

Ai ka thënë se do të jetë mbrojtësi kryesor i prodhimeve vendore. “Do t’i rrimë në krahë prodhuesit tonë. Aty ku na mundëson ligji ne do t’i mbrojmë sepse duke i mbrojtur prodhimet tona dalim aty ku duam pra te rritja e numrit të të punësuarve por edhe zhvillimit ekonomik të vendit”.

Ministri më tej ka paralajmëruar se MTI-ja së shpejti do të procedojë Ligjin për Tregti të Brendshme, me të cilin synohet që të vihet edhe më shumë rregull, sepse sipas tij prodhuesit vendor kanë telashe edhe me ekspozimin e produkteve nëpër markete. “Kjo është rruga më e mirë ta bëjmë nëpërmjet ligjit”, ka premtuar ministri Hasani.

Të ngjashme