Përfaqësues të bizneseve të udhëhequr nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, kanë vizituar fabrikën e re prodhuese “Flexograf” në Gjilan, e cila është e vetmja në Kosovë dhe regjion për prodhimin, printimin e materialeve të flekso për prodhuesit vendore dhe jashtë Kosovës, shkruan EkonomiaOnline.
Vizita u realizua në kuadër të aktivitetit tradicional 19 vjeçar “Javët e Biznesit Kosovar 2021“.
Berat Mustafa, drejtor i fabrikës Flexograf, tha se kanë ndërtuar fabrikën e re ku punojnë mbi 60 punonjës, e të cilët kanë të ardhura të mira dhe të gjitha kushtet e punës sipas legjislacionit në fuqi e të cilat kushte i kanë thuajse pak biznese tjera të vendit.
Prioritet duhet të jetë ndalja e importit dhe qarkullimi i parasë në tregun e brendshëm dhe mos të eksportohej para jashtë vendit.
Berat Mustafa, tregon se në fillim të përhapjes së virusit korona kishte vështirësi, ku punonjësit kishin panik, por si kompani ia arritën t’ia dalin dhe vazhduan punën në prodhimin e ambalazheve për klientët, në mënyrë që të mos kishte vakuum në tregun e vendit po ashtu edhe jashtë.
Ai tregoi se gjatë pandemisë kanë shënuar rritje të prodhimtarisë mbi 20 për qind.
Eksportet e Flexografit janë jo të paka dhe atë prodhimet e saj janë eksportuar edhe në Serbi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e vende tjera.
Pronari i Flexografit, shtoi se gjatë pandemisë ka punuar e prodhuar 24 orë pa ndalë.
“Çdo përkrahje nga shteti do të ndikojw në fuqizimin e ekonomisë si forcë e vetme e zhvillimit të vendit”, tha Mustafa.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini, tha se kjo vizitë realizohet me qëllim të promovimit të prodhimeve dhe shërbimeve vendore duke tentuar të zgjerojnë bashkëpunimin prodhues, përpunues dhe tregtar në brendësi dhe jashtë Kosovës me qëllim të rritjes së zhvillimit ekonomik vendor.
Ai tha se është i gëzuar që prodhimet e kësaj fabrike po eksportohen edhe jashtë vendit.
Sipas tij, teknologjia e kësaj fabrike është e lartë duke kërkuar nga qeveria përkrahje e lehtësira.
Ai nuk la pa kritikuar institucionet për ikjen e investitorëve të huaj.
“Duhet bërë më shumë për prodhuesit, sepse të rinjtë po ikin nga vendi në mungesë pune e perspektive”.
Kryetari i AKB-së kërkoi nga shteti politika më të mira.
“Prodhuesit vendor të goditur nga politikat e këqija fiskale dhe konkurrenca jo e drejt e cila vjen nga informaliteti dhe subvencionet e prodhuesve të saj për eksport e që Kosovës i mungojnë këto të mira”, tha Shahini.