Hulumtuesi në Hibrid.info, Festim Rizanaj në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se profilet dhe llogaritë e rreme që krijohen në situata të caktuara përbëjnë rrezik për shkak të ndikimit që synojnë të kenë te opinioni publik.
Sipas tij, qëllimi kryesor i këtyre profileve është manipulimi i qytetarëve përmes keqinformatave dhe dezinformatave.
“Po, këto profile, domethënë llogaritë e ndryshme fake që po krijohen në situata të caktuara, sidomos gjatë fushatave zgjedhore për shkak të dinamikës edhe interesit që kanë, po përbëjnë një lloj rrezikshmërie sepse synimi kryesor i tyre është me manipuluar opinionin publik, me i manipuluar njerëzit që i marrin informacionet nga këto profile, në mënyrë që me u ndërruar atyre perceptimin për zhvillimet e ndryshme politike që ndodhin, për zgjedhjet e caktuara dhe në njëfarë forme me ndikuar drejtpërdrejt që ata në vendimet që i marrin ose në leximin e situatave të caktuara të ndikohen nga keqinformatat ose dezinformatat që publikohen prej këtyre profileve fake”, tha Rizanaj.
Rizanaj ka theksuar se një nga pasojat kryesore të këtij fenomeni është polarizimi shoqëror, ndërsa ka bërë thirrje që qytetarët të jenë më të kujdesshëm në identifikimin e burimeve të informacionit në rrjetet sociale.
“Po, problemi është se këto kanë krijuar një lloj polarizimi shoqëror edhe sot audienca kur po e merr informacionin në mediat sociale po bazohet kryesisht te ajo pamja e parë, domethënë te imazhi që po servohet dhe nuk po shikohet llogaria ose profili që e ka shpërndarë. Kjo është shumë e rëndësishme, domethënë burimi kush e ka shpërndarë, dhe fokusi, koncentrimi tek ai, domethënë te profili, duke identifikuar se kush po e shpërndan këtë. Nëse është media, atëherë me marrë, domethënë media kredibile, atëherë me marrë si informacion më të besueshëm; dhe nëse është një profil apo një faqe e caktuar që e ka një emër të caktuar, me hulumtu pak se çka është domethënë ky profil, me shikuar imazhin që e përdor ai profil, domethënë se ka të tilla që gjenerohen me inteligjencë artificiale, me shikuar datën kur është krijuar ky profil nëse është i ri kjo lë dyshim domethënë që mundet me qenë fake, me shikuar në atë kuptimin sa ndjekës ka ose sa shoqëri ka domethënë ai profil. Këto janë disa elemente që audienca duhet me i pasur parasysh nëse e përzgjedh që me marrë informacione nga këto profile apo faqe që nuk dihet kush qëndron prapa tyre”, tha ai.
Ai ka shtuar se krijimi i profileve të tilla është bërë fenomen global, i lehtësuar nga mundësia që ofrojnë mediat sociale për hapjen e llogarive dhe faqeve të ndryshme.
“Po, domethënë mediat sociale, për shkak se e kanë mundësuar që secilit me hap llogari të ndryshme e faqe të ndryshme, kjo është bërë një fenomen global ku krijohen kësifarë gjërash të tilla në situata të caktuara, në zhvillime të caktuara, në mënyrë që me e manipuluar opinionin publik dhe me ia ndryshuar perceptimin e opinionit ndaj asaj situate apo zhvillimit të caktuar”, deklaroi Rizanaj për Ekonomia Online.
Ditëve të fundit në opinion është ngritur çështja e profileve të rreme, duke qenë se janë targetuar figura të ndryshme publike, përmes profilit “Lule Gjeli”.
Deputetja e zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu Kodra e ka denoncuar sot profilin e lartpërmendur në Prokurori Speciale të Kosovës.
