Tashmë partitë kryesore në vend kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar të Prishtinës, ku pritet të zhvillohet gara më e ashpër në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje, Arban Abrashi nga LDK, Lirak Çelaj nga PDK, dhe Arbër Vllahiu nga AAK janë kandidatët kryesorë për të parin e Prishtinës.
Por çfarë duhet të dini për secilin prej tyre?
Shpend Ahmeti:
Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka lindur më 18 prill 1978. Ai ka përfunduar studimet master në politika publike në Universitetin e Harvardit në Amerikë, kurse studimet universitare i ka përfunduar në ekonomi dhe administrim biznesi në Universitetin Amerikan në Bullgari.
Prej vitit 2005 Ahmeti është ligjërues i politikave publike dhe politikave ekonomike ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Kosovë.
Ahmeti gjatë një periudhe ka qenë edhe nënkryetar i Vetëvendosjes, kurse ka qenë edhe bashkëthemelues i partisë Fryma e Re me Ilir Dedën, por e cila pas dështimit në zgjedhje u shua.
Shpend Ahmeti u zgjodh kryetar i Prishtinës në vitin 2013 duke i dhënë fund qeverisjes gati 15-vjeçare të Lidhjes Demokratike të Kosovës në kryeqytet.
Në rrethin e parë të zgjedhjeve ai kishte pasur mbi 8 mijë vota më pak se Isa Mustafa, por në raundin e dytë pati një përmbysje të jashtëzakonshme ku Ahmeti doli i pari me rreth 2 mijë e 500 vota para liderit të LDK-së.
Arban Abrashi:
Kandidati i LDK-së për kryeqytetin në këto zgjedhje është vendosur të jetë Arban Abrashi. Ai ka lindur në shkurt të vitit 1979 në Mitrovicë.
Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin “Hasan Prishtina” në Fakultetin e Filozofisë, departamentin për Shkenca Politike. Kurse masterin e ka përfunduar në Universitetin e Sussex në Britani të Madhe, në fushën e integrimeve evropiane.
Abrashi është anëtar i këshillit të përgjithshëm të LDK-së, kurse ka ushtruar edhe disa funksione institucionale.
Nga viti 2008 deri më 2010 ai ka qenë këshilltar i ministrit të administrimit dhe pushtetit lokal. Në vitin 2010 ai është bërë këshilltar në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, kurse një kohë e ka ushtruar edhe funksionin e zëvendësministrit në Ministrinë e Integrimeve.
Së fundi, kandidati për të parin e Prishtinës nga LDK-ja ka qenë edhe ministër i punës dhe mirëqenies sociale.
Ai është i martuar ka një fëmijë dhe jeton në Prishtinë.
Lirak Çelaj:
Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të kryeqytetit.
Çelaj ka lindur më 26 mars 1973 në Prishtinë. Ai ka diplomuar në UP në Fakultetin e Arteve. Në tetor të vitit 1998 ai i është bashkuar radhëve të UÇK-së në zonën e Llapit ku ka qenë zëdhënës.
Më 1999 ka arritur të bëhet drejtor i Teatrit Kombëtar në Prishtinë, dhe gjithashtu ka qenë deputet në mandatin e parë të parlamentit të Kosovës.
Në aspektin profesional, Çelaj ka luajtur dhjetëra role në teatër dhe në film, duke bërë edhe regji të filmit dhe ka shkruar edhe shumë skenarë.
Së fundi, Lirak Çelaj ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë, nga ku kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në organizimin e degës së PDK-së në Prishtinë për zgjedhjet lokale.
Arbër Vllahiu:
Aderimi më i ri në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Vllahiu ka fituar besimin te Ramush Haradinaj që t’i hyjë garës për kryetarllëkun e Prishtinës.
Vllahiu ka lindur në vitin 1967 në Prishtinë, kurse e gjithë karriera e tij gati është e lidhur me gazetari, ku edhe ka kryer studimet master në komunikimin masiv në kryeqytet.
Ai për 27 vite ka punuar si gazetar, 11 vite ka qenë si korrespodent i Shërbimit Botëror të BBC-së nga Kosova. Gjithashtu ka qenë edhe korrespodent i Deutsche Welle-s, dhe ka punuar edhe si shef i shërbimit të Radio Evropa e Lirë në Kosovë.
Ai për një koha ka qenë edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, Departamentin e Gazetarisë.
Sa i përket karrierës politike, Vllahiu ka qenë këshilltar i ish-presidentes, Atifete Jahjaga.