Profilizimi i mësimdhënësve është i rëndësishëm për cilësinë e arsimit në Kosovë. Ky ishte mesazhi që ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi u dha drejtorëve dhe mësimdhënësve të shkollave në Pejë.
Këto komente ai i bëri në fillimin e punimeve të punëtorisë me temë “Profilizimi i mësimdhënësve të klasave I -V ”, e MAShT, raporton Ekonomia Online.
Në këtë punëtori e cila do të mbahet në shkollën “Shaban Spahija”, Bytyqi u zotua se do të ndihmojnë mësimdhënësit që të kenë më lehtë procesin e profilizimit.
Sipas tij, ky është një proces i rëndësishëm dhe duhet të filloj të zbatohet që nga fillimi i vitit të ri shkollor.
Përveç kësaj në një takim të ndarë me një grup të mësimdhënësve bisedoi edhe për procesin e provimit të maturës, për ndryshimet që duhet bërë në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira.
Takime të ngjashme sipas ministrit do të mbahen në të gjitha komunat në mënyrë që të rritet komunikimi në këtë aspekt që kjo reformë të zbatohet me sukses.