Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin me titull “Shpjegimi i dallimit: cenueshmëria dhe qëndrueshmëria ndaj ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”.
Skender Perteshi, nga QKSS ka sqaruar se kanë marrë si model studimi veç dy komuna atë të Hanit të Elezit dhe të Deçanit, prandaj sipas tij, janë mundur që të identifikojnë faktorët dhe shkaqet e këtij problemi, raporton Ekonomia Online.
“Raporti është më i fokusuar dhe qëllim ka cilët janë faktorët që e bëjnë një komunitet më të cenueshëm dhe cilët janë ata që e bëjnë një komunitet më të qëndrueshëm. Raporti është produkt i një punë një vjeçare nga QKSS, është projekt që e përfshin Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë”.
“Për secilin fshat dhe lokacion ka faktorë të ndryshëm, me dy komuna shumë të vogla janë mundu me identifikuar faktorët që janë më të cenueshëm dhe ata më të qëndrueshëm ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.
Rudinë Jakupi, nga QKSS ka prezantuar gjetjet nga raporti dhe ka përmendur rekomandimet që ka nxjerrë raporti, ndërsa ka thënë se për Mitrovicën do të paraqiten të dhëna herë tjetër pasi është komunë më e veçantë.
Ajo ka thënë se marrëdhënia e mirë mes liderëve fetarë dhe komunalë për ta parandaluar ekstremizmin e bëjnë komunitetin ma pak të cenueshëm ndaj tij.
“Nuk ka komunë në Kosovë që nuk është e prekur por kemi dashtë të dimë çfarë kanë bërë këta aktere pasi që janë prekur nga ekstremizmi”.
“Në Deçan numri i luftëtarëve të huaj që është asnjë, incidentet një, OJQ joformale të pranishme në asnjë. Besimi në struktura formale fetare është 52% kanë pak besim. Përfaqësimi politik në nivel qendror, janë 8 deputetë, përfshirë edhe kryeministrin e vendit, prani të institucioneve ndërkombëtare më shumë”.
“Kurse në Han të Elezit, ka pasë 11 luftëtare të huaj, rekrutues 4, OJQ formale apo joformale 2, incidente 2, Besimi fetarë është 60% që kanë pak besim, pra BIK-u ka humb besueshmërinë në Han të Elezit. Nuk ka përfaqësim në nivel qendror, banorët ndihen të lënë anash nga institucionet shtetërore. Ndërsa ndryshe nga Deçani, Hani i Elezit ka vëmendje më të madhe nga donatoret ndërkombëtarë”.
“Pjesë e rëndësishme e raportit ka qenë ideja me analizuar si marrëdhëniet mes liderëve fetare dhe komunalë ndikojnë në ekstremizëm të dhunshëm. Pjesë tjetër ka qenë me i analizuar programet për parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Ka iniciativash nga pushteti qendror ashtu edhe nga ai lokal. Fokus më të madh këtë vit i është dhënë ngritjes së vetëdijes kuadër ekstremizmit të dhunshëm”.
Ndërsa ka paraqitur pesë rekomandimet e nxjerra nga ky raport, duke shtuar se programet e parandalimit të ekstremizmit duhet të adresojnë sfidat lokale, raporton EO.
“Programet e ardhshme duhet t’i përshtaten komuniteti të synuar duhet të studiohet komuna ku impelmentohet një program i tillë sepse kur shkon bisedon me njerëz e sheh që ka karakteristika shumë të veçantë në secilën komunë”.
“Qëllimi programeve të tilla duhet të jetë krijimi i një kulturë të komunikimit, bashkëpunimit mes akterëve kryesorë në komunitet, sepse përfshirë liderët politikë e fetarë janë bashkuar se si ta parandalojnë këtë në të ardhmen”.
“Qëllimi primar duhet të jetë integrimi i të rinjve të margjinalizuar nga shoqëria. Programet e parandalimit të ekstremizmit duhet të adresojnë sfidat lokale. Duhet të jenë shumë disiplinore dhe të çojnë në fitimin e aftësimeve jetësore në nivel individual dhe të forcojnë aftësinë e komuniteteve për tu përballur me problemin e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm”.
Ajo ka thënë se Hani i Elezit iu është nënshtruar më lehtë predikuesve të huaj të cilët kanë predikuar nëpër xhami, ndryshe prej Deçanit që nuk e ka lejuar një gjë të tillë.
“Kur ka kërkuar xhemati, kanë kërkuar me ardhur imamë të tjera që tu mbajnë ligjëratë dhe kanë kërkuar individë që mbajnë ligjërata në internet. Imamët në Deçan kanë qenë unikë se nuk do lejojnë asnjë imam tjetër të predikoj aty. Nuk kanë lejuar që dikush tjetër me ardhur dhe me predikuar diçka tjetër”.
“Ndërsa në Han të Elezit ka qenë pak më ndryshe sepse kanë ardhur njerëz prej Maqedonisë dhe vendeve tjera dhe e kanë pasë pak më të lehtë qasjen në Han të Elezit. Kjo ka qenë një prej arsyeja që ekstremizmi është shfaq në nivel pak më të lartë se sa Deçani dhe rajonet tjera në Kosovë. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm organizimi i jetës fetare në këto komuna”.