Me moton “Të mbrojtur së bashku, vaksinat veprojnë” ka filluar Java e Imunizimit në Kosovë, e cila shënohet nga Ministria e Shendetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe UNICEF.
Rrustem Musa, zëvendësministër i Shëndetësisë, tha se Programi i Imunizimit ka shënuar sukses viteve të fundit dhe është ngritur vetëdija për imunizim edhe nga shoqëria, raporton Ekonomia Online.
“Dita e Imunizimit shënohet tashmë çdo vit edhe në Kosovë dhe qëllim parësor ka ngritjen e njohurive për dobitë që ka imunizimi. Kjo mbrojtje është e mundur nga vaksinimi për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Ministria e Shëndetësisë ka miratuar politikat e imunizimit. Të gjitha programet e miratuara dhe ndryshimet në programin e imunizmit bëhen në përputhshmëri me bashkëpunimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Objektivi kryesor i imunizmit është vaksinimi i fëmijëve. Vitet e kaluara ngritja e vetëdijes për imunizim është ngritur 95%. Ne po realizojmë me sukses edhe përfshirjen në imunizim edhe fëmijët e komuniteteve. Falë vaksinimit, Kosova nuk ka paralizë të fëmijëve që nga viti 1981”, tha ai.
Drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, tha se Programi i Imunizimit po zbatohet në Kosovë në mënyrë të shkëlqyeshme.
“Duke pasur parasysh këtë sukses Instituti Kombëtar dhe të gjithë profesionistët shëndetësor janë kontribues të këtij suksesi, të cilët nuk e kursejnë kohën e tyre në çdo kohë. Kjo është punë e madhe që kërkon ekipe multidiciplinare. Ky sukses është i të gjithë neve me të cilin mburremi. 95% të fëmijëve vitin e kaluar kanë qenë të vaksinuar, ne kemi parandaluar me sukses epideminë e fruthit e cila ka qenë e shpërndarë jo vetëm në vendin tonë por edhe në rajon”, tha ai.
Brandao Co, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se në Kosovë ekziston një përfshirje e gjerë e imunizimit, mirëpo duhet të bëhet më shumë për të përfshirë në imunizim edhe grupet e cenueshme si komuniteti RAE, raporton EO.
“Java e imunizimit shënohet çdo vit dhe ka për qëllim të shtojë dozën e vaksinimit sidomos te grupet e të sëmurëve. Kjo javë ka për qëllim ta promovojë imunizimin. Duke vaksinuar fëmijët, ne i mbrojmë të gjithë, i mbrojmë edhe të posalindurit. Të dhënat tregojnë se me vaksinim shpëtohen rreth 3 milionë jetë. Ne e dimë që imunizimi është një nga shtyllat kryesore të shëndetit. Është një nga pikat hyrëse që i mundëson që secili fëmijë të ketë një fillim të mirë të jetës. Në Kosovë kemi një përfshirje të lartë të imunizimit. Megjithatë e dimë që përfshirja e komuniteteve është më e cenushme. Ne e dimë që vitin e kaluar nga fruthi janë prekur komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, tha ai.
Besa Baftiu, kryetare e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, u siguroi mbështetje dhe kërkoi bashkëpunim nga Ministria e Shëndetësisë për temat e nevojshme.
“Për mua e vetmja hallkë që ka funksionuar mbarë ka qenë hallka e imunizimit dhe falë kësaj rreth 95% e qytetarëve dhe sfidë mbetet imunizimi i komunitetit rom”, tha ajo.
Ardita Tahirukaj, zyrtare ndërlidhëse e zyrës së OBSH-së tha se Kosova është në mesin e 42 vendeve që ka ndërprerë me sukses përhapjen endemike të fruthit.
“Gjatë 60 viteve të fundit imunizimi ka shpëtuar më shumë jetë të fëmijëve sesa çdo ndërhyrje tjetër. Duke u vaksinuar, çdo individ investon në shëndetin e vet dhe kontribuon në shëndetin e komunitetit. Java Evropiane e Imunizimit është periudhë ku duhet të shohim hapat e nevojshëm për të përmbyllur boshllëqet. Kosova është në mesin e 42 vendeve që ka ndërprerë me sukses përhapjen endemike të fruthit. Kosova ka një shkallë të lartë të vaksinimit. OBSh është duke punuar me institucionet e Kosovës për të ndalur fruthin dhe sëmundje të tjera”, tha ajo.