Me një projekt kapital dhe të kushtueshëm rreth dhjetë milionë euro, Komuna e Deçanit planifikon që të ndërtojë muret e Lumëbardhit me shëtitore dhe infrastrukturë tjetër përcjellëse, për të nxitur mes tjerash edhe zhvillimin e bizneseve gastronomike, shkruan sot “Koha Ditore”.
Realizimi i këtij projekti të financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është i ndarë në disa faza. I tërë projekti, siç tregon kreu i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka një vlerë prej 9 milionë e 700 mijë eurosh.
Për fazën e parë të projektit, siç thotë Ramosaj, janë ndarë nga ministria tre milionë euro. I tërë projekti nuk do të realizohet gjatë këtij mandati, por kreu i Komunës pretendon që në afat prej tre vjetësh të kryhet pjesa e madhe e këtij projekti.