Disa projekte në komunën e Prizrenit, përfshirë “Parkun Industrial” për të cilin parashihen edhe investime të huaja, nuk po gjejnë mbështetje nga disa ministri.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një intervistë për Ekonomia Online tha se nevojitet bashkëpunimi mes ministrive për të implementuar projekte, jo vetëm për atë të Parkut, por edhe për projekte të tjera, për të cilat ai tha se nuk kanë marrë përkrahje nga disa ministri.
Ai thotë se duhet të punojnë bashkërisht kur është synimi tek zhvillimi i vendit.
“Me disa ministri kemi shumë bashkëpunim të mirë, me disa ministri kemi pak probleme. Për disa projekte madhore që i kemi, për shembull ‘Parku Industrial’ të cilin po duam ta bëjmë, zona ekonomike, aty na duhet bashkëpunimi institucional me të gjitha ministritë e ndryshme dhe aty mendoj se nuk duhet të shihet ajo si projekt i komunës, por duhet të shihet si projekt për të gjithë Kosovën. Nëse zhvillohet Prizreni, zhvillohet e gjithë Kosova. Nëse bllokohet hapja e kësaj zone ekonomike është problem për të gjithë sepse papunësia është problem i gjithë Kosovës”, tha Haskuka.
Sipas tij, problem ka paraqitur edhe buxheti i Kosovës, nga i cili sipas tij nuk kishte mjete të mjaftueshme financiare për të ndarë për projektet në Prizren.
“Ne kemi shumë kërkesa për ministri të ndryshme. Ne i kemi dërguar për rajonin e Hasit shumë kërkesa e projekte që janë me infrastrukturë ngase është infrastruktura shumë e dobët, qoftë në aspektin e kanalizimit, sidomos të rrugëve të cilat janë shumë të dëmtuara dhe në shumë vende nevojitet zgjerimi i tyre, por për shkak të problemeve me buxhetin e Kosovës nuk janë implementuar”, tha ai për Ekonomia Online.
Megjithatë Haskuka shpreson që këtë vit të hyjnë në buxhet projektet e planifikuara dhe të implementohen pasi ka marrë edhe premtimin nga ministri i Financave.
“Ka edhe disa ura të cilat i kemi kërkuar, pastaj për çerdhe na duhen kode të reja për edukatore, zjarrfikës na duhen më shumë. Komuna e Prizrenit është komuna më e madhe në aspektin e numrit të fshatrave dhe regjionit. Por ne kemi vetëm 25 zjarrfikës ndërsa komuna e Gjakovës i ka 60, nuk kam asgjë kundër kësaj, por ne na duhen më shumë zjarrfikës sepse ka shumë pyje, ka shumë vende që duhet të mbrohen”.
“Me buxhetin vetanake kemi bajagi investime, por në shumë raste janë rrugë regjionale dhe duhet investime të ministrisë dhe ne i kemi dërguar projektet në kohë dhe kemi kërkuar që të implementohen sivjet. Ministri na ka premtuar që sivjet do ketë më shumë hapësirë buxhetore”, tha Haskuka.
Ai ka thënë se për ngecjet në investimet kapitale janë fajtorë edhe kompanitë për të cilat tha se kanë marrë ndëshkimet e duhura, duke kërkuar që organet përkatëse t’i fusin në “listën e zezë”, sipas së cilës atyre u ndalohet të punojnë në komunën e Prizrenit, e ndoshta edhe në tërë Kosovën.
“Disa investime kapitale na kanë mbet për shkak të papërgjegjësive të ndryshme të cilat janë paraqitë gjatë implementimit të projekteve. Në momentin që e kemi marrë kemi pa që në 5 shkolla, vazhdon ndërtimi 3-4 vite dhe nuk janë përfunduar punimet. Në këto raste kemi marrë masa të caktuara, dy operatorë i kemi ndalë kontratat, i kemi anuluar dhe kemi kërkuar nga organet përkatëse që këto kompani të papërgjegjshme të hyjnë në listën e zezë dhe ashtu që të mos marrin punë në komunën e Prizrenit ose gjithkah në Kosovë”, tha ai.
“…njëjtë edhe në disa investime që ka pasë komuna, si në ndërtimin e banesave sociale, edhe aty kemi pasë probleme me operatorin ekonomik i cili ka qenë i papërgjegjshëm, nuk i ka kryer punimet si duhet dhe në disa raste janë paraqitë raste të tilla por në të gjitha rastet kemi marrë masa të caktuara”, tha Haskuka në një intervistë për Ekonomia Online.