Projekti i BE-së vlerësohet “brumë i mirë” për hartimin e Kodit Civil

| 23 Qer 2016 | 13:33 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projekti “Mbështetje për Kodin Civil dhe të Drejtat e Pronës”, i financuar nga BE dhe implementuar nga organizata GIZ, rekomandon hartimin e një Kodi Civil të plotë dhe të nisë përmirësimi i koherencës të përgjithshme të kornizës rregulluese për të drejtat pronësore në Kosovë, në pajtim me standardet e KE-së dhe praktikat më të mira evropiane.

Projekti është implementuar nga konzorciumi GIZ International Services dhe kap vlerën prej 1,9 milionë euro.

Ky projekt ka mbështetur modernizimin/harmonizimin e kornizës ligjore për çështje civile përmes realizimit të një kodi të vetëm civil, me anë të një analize ligjore të plotë dhe gjithëpërfshirëse të legjislacionit aktual mbi pronën.

Projekti ka për qëllim të hartojë një Kod Civil të plotë dhe të fillojë procesin e përmirësimit të koherencës të përgjithshme të kornizës rregulluese për të drejtat pronësore në Kosovë, Acquis të BE-së, në pajtim me standardet e KEDNj-së dhe praktikat më të mira evropiane. Projekti do të sjellë legjislacionin e Kosovës afër standardëve evropiane dhe praktikave më të mira që dalin nga përvoja e vendeve të BE-së në lidhje me traditën tonë.

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, njëherë ka vlerësuar këtë si një datë të rëndësishme që shënon hapjen e një kapitulli të ri, për faktin se tashmë ka një brumë të mirë për hartimin e Kodit Civil.

Image

“Të gjithë ne e kemi ditur se hartimi i Kodit Civil kërkon kohë, kërkon ekspertizë dhe njëkohësisht është një proces. Unë besoj se Komisioni qeveritar e ka bërë punën e vet bashkërisht edhe me ekspertët tjerë dhe kanë bashkëdyzuar këtë punë. Tani duhet të kalojmë në një fazë tjetër, që unë do ta quaja konkretizimi i normave juridike për Kodin Civil”, tha Kuçi.

Duke vlerësuar punën e mirë që është bërë deri më tash, zëvendëskryeministri Kuçi përmendi tri detyrat  kryesore. “ E para vlerësimi i ligjeve ekzistuese në Kosovë, të cilat janë nga fusha civile, qoftë ajo sendore, pronësore, familjare, trashëgimore, detyrimore dhe të tjera. E dyta, ka pasur nevojë ndoshta për modernizimin e disa prej tyre. Kur them modernizimin, është fjala për amandamentim dhe për përshtatje me direktiva të Unionit Evropian, por edhe ato që janë funksionale për Kosovën. Dhe e treta nevoja e hartimit të drafteve të reja qoftë të ligjeve për të përmbledhur në fund një Kod Civil”, tha zëvendëskryeministri Kuçi, sipas të cilit hartimi i Kodit Civil do të zgjasë për disa muaj.

Duke u ndalur te baza legjislative dhe nevoja për përmirësime të mëtejme, zëvendëskryeministri Kuçi tha se ligjet në fushën penale në Republikën e Kosovës janë moderne, janë demokratike dhe janë të përfunduara. Por, tha se gjatë draftimit të Kodit Civil duhet kujdes në trajtimin sa më mirë të çështjeve civile me standardet më të larta të Unionit Evropian, por gjithmonë funksionale për Republikën e Kosovës.

“Unë jam i kujdesshëm që të mos bëjmë ligje të cilat janë vetëm futuriste e të cilat nuk do të jenë të implementueshme në vendin tonë, por po ashtu jam i kujdesshëm që duhet të lëvizim pak prej traditës. Kur them traditës, nuk e kam ndërmend traditën e para viteve ’99, por e kam ndërmend edhe traditën tonë pak edhe si vend, si popull, por edhe si ambient, në veçanti kur kemi të bëjmë me çështjet pronësore ”, tha zëvendëskryeministri Kuçi, i bindur se hartimi i draftit të Kodit Civil do të jetë prioritet i Qeverisë brenda këtij mandati.

Victor Chimienti, udhëheqës i ekipit, GIZ, tha se hartimi i Kodit Civil është proces kompleks. “Kodifikimi i një Kodi Civil modern bashkëkohor në harmoi me praktikat më të mira dhe standardet e BE-së është një prej synimeve kryesore të projektit. Pas dy viteve sfiduese të implementimit, falë bashkëpunimit të frytshëm drafti i parë është përfunduar dhe përbëhet nga katër kapituj”, tha Chimienti, duke shtuar se sistemi kosovar i të drejtës civile është përafruar me standardet evropiane dhe paraqet një të arritur të madhe.

Chimienti, më tej ka theksuar se miratimi i Kodit Civil do të forcojë sigurinë ligjore në fushën dhe kohën e re të marrëdhënieve private, e po ashtu do të ngritë ndjesinë e përgjegjësisë qytetare. “Rruga drejt Kodit Civil në Kosovë është edhe më tutje e gjatë dhe plotë sfida, por besoj se themelet janë të forta dhe të shëndosha dhe vazhdimi i mbështetjes nga BE-ja është e garantuar”, tha ai.

Në emër të zyrës së BE-së, Tomas Njoki, duke shprehur mirënjohje për sistemin ligjor të Kosovës dhe hartimit të Kodit Civil, tha se miratimi i tij do të përmirësoj gjendjen e grave në Kosovë, duke konfirmuar parimin se gratë duhet të trajtohen barabartë. “Në veçanti kjo u siguron atyre të drejtat për të trashëguar pronë, regjistrimin e pronës, ndarjen e barabartë të pronës bashkëshortore, e po ashtu siguron mbrojtje më të mirë të të drejtave të fëmijëve”, Njoki.

Të ngjashme