Një nënkalim i ndërtuar me miliona euro në Malishevë dhe i përuruar me koncert dhe fjalime, u përmbyt vetëm disa muaj më pas si pasojë e reshjeve të shiut. Komuna e pranon se projekti nuk e ka përfunduar ende pranimin teknik, kurse kompania ndërtuese nuk dha shpjegime.
Me një koncert të madh, fjalime e parakalime, në gusht të vitit 2025, komuna e Malishevës e përuroi një nënkalim për vetura në qytet.
Nënkalimi ishte vetëm një pjesë e një projekti infrastrukturor me vlerë afër 9 milionë euro, që kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati e ka quajtur “ndër projektet më të mëdha në historinë e Malishevës”.

Projekti “Malisheva Urbane”, përfshin edhe shesh e parkingje nëntokësore, ndërtimi i së cilave u krye kryesisht nga kompania “B Famis” nga Suhareka.
Por, vetëm disa muaj pas përurimit – më 6 janar 2026 – nënkalimi u mbush me ujë pas reshjeve intensive.
Komuna e Malishevës tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se përmbytja ishte pasojë e shiut të rrëmbyeshëm dhe “rritjes së nivelit të ujit në lumin Mirusha dhe një dege të lumit, që si pasojë ka qenë i pamundur shkarkimi i ujit”.
Të nesërmen, nënkalimi u lëshua për qarkullim, pas pastrimit të ujit që, sipas komunës, u bë nga kompania komunale e pastrimit.

Komuna nuk i ka vënë faj punimeve të nënkalimit për këtë përmbytje, ndonëse ka thënë se pranimi teknik për këtë projekt nuk ka përfunduar në tërësi.
“Përurimi është bërë për rrugët, [që është] një pjesë e projektit, ndërsa projekti si tërësi nuk është i përfunduar”, thotë zyra për informim e komunës, duke mos specifikuar se a është bërë pranimi teknik i nënkalimit.
Pranimi teknik është procedurë përfundimtare për secilin projekt ndërtimor kur bëhet vërtetimi se punët janë kryer siç janë paraparë në projekt, apo kontratë.
“Në gjuhën inxhinierike quhet ‘leja e shfrytëzueshmërisë’. Shërben më së shumti te objektet banesore. Nënkalimet janë objekte më të vogla, por gjithsesi kërkohet pranimi teknik, sepse është rregull”, thotë Naser Kabashi, profesor i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.
Megjithatë, sipas profesorit, në rastet e vërshimeve të strukturave ndërtimore si te nënkalimet, më shumë ka të bëjë me mosplanifikim të përballimit të reshjeve me intensitet të lartë dhe kohë të shkurtër, gjatë projektimit.
“Pamundësia e gëlltitjes së ujit në këto kapacitete ka rezultuar në këtë [mbushjen me ujë], sipas rasteve të përgjithshme, pa u ndalur në raste specifike që mund të kenë ndonjë element të veçantë”, thekson ai për REL-in.
Në anën tjetër, as nga kompania “B Famis” nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me këtë çështje, edhe pas pyetjeve të dërguara nga REL-i.
Një punëtor i kësaj kompanie, që foli me REL-in nga numri zyrtar i kompanisë, tha se kompania “gjendet në pushim deri më 15 janar”.
Në kontratën për ndërtimin e këtij projekti, që REL-i e ka siguruar, në punëkryerje parashihet edhe drenazhimi, sistemet e shkarkimit të ujit, ndonëse nuk ka detaje të tjera specifike që kanë të bëjnë me situata si ajo e vërshimeve.
Në rrjetet e saj sociale, kompania ka reklamuar në vazhdimësi projektin dhe punën e tyre në të.
Në fund të vitit 2022, komuna e Malishevës hapi tenderin për ndërtimin e këtij projekti që e kishte paraparë të kushtonte rreth 8.9 milionë euro.
Tenderi ishte i hapur dhe kriter kryesor për fitimin e tij ishte çmimi më i ulët në ofertë.
Në këtë thirrje pati dy ofertues.
Njëra ishte kompania “B Famis” nga Suhareka në konsorcium me dy kompani tjera “Eskavatori” dhe “Best Company”. Oferta e tyre ishte rreth 8.2 milionë euro.
Pronar i kompanisë “B Famis” është Bekim Bytyçi.

Ndërsa, ofertuesi i dytë ishte kompania “Famis Co”, po ashtu nga Suhareka së bashku me një kompani tjetër “Bamirs”, me ofertë rreth 7.7 milionë euro.
Pronarë të kompanisë “Famis Co” janë Avdullah Bytyçi, Fadil Bytyçi dhe Hamdi Bytyçi.
Tenderin e fitoi “B Famis”, ndonëse pati ofertën më të lartë, pasi që komuna e shpalli ofertuesin e dytë “të papërgjegjshëm”, me arsyen se i mungonin disa nga dokumentacionet dhe kriteret që kërkoheshin në tender.
Ndër to, sipas komunës, ishin disa dokumentacione për përvojat e punës së inxhinierëve në projekt, pastaj dëshmitë e përvojave paraprake e deri te mungesa e disa pajisjeve të caktuara.
Përfundimisht më 12 janar, 2023, “B Famis” nënshkroi kontratën për këtë projekt.
https://datawrapper.dwcdn.net/QEtIQ/3
“B Famis” dhe “Famis Co” në të kaluarën kanë qenë një kompani e vetme e themeluar dhe e udhëhequr kryesisht nga anëtarë të familjes Bytyçi.
Historia e tyre shkon prapa deri në vitet e ‘70-ta dhe ndër vite kompania ndryshoi emrin disa herë.
Ky është informacion publik që të dy kompanitë e kanë të shkruar në historikun e përmbledhur në uebfaqet e kompanive.
Tek në vitin 2022, kompania, që quhej “Famis Co”, ndahet dhe krijohet kompania “B Famis”, e cila u regjistrua zyrtarisht më 19 maj 2022, disa muaj para se të fitonte tenderin për projektin në Malishevë.

Përveç tenderit kryesor për ndërtimin e nënkalimit dhe infrastrukturës përcjellëse, komuna e Malishevës, më 2025 hapi edhe një tender tjetër për punë shtesë në këtë projekt.
Kësaj radhe, tenderi nuk u hap për ofertues, por iu dha me negocim kompanisë “B Famis”.
Vlera e këtij tenderi ishte rreth 823.000 euro.
Ligji për Prokurimin Publik e lejon që institucionet të japin tender me negocim vetëm me arsyetim specifik se pse ka qenë e nevojshme.
REL-i ka pyetur komunën e Malishevës se pse ka qenë e nevojshme për këto punë shtesë dhe pse ky tender nuk ishte i hapur për ofertues të tjerë, por nuk ka marrë përgjigje.
Albulena Ndrecaj, drejtoreshë e organizatës INPO, e cila kryen hulumtime dhe raporte mbi prokurimin në Kosovë, e përshkruan situatën kur dy kompani të njëjta, ose me lidhje mes vete, garojnë në të njëjtin tender si “praktikë e kamotshme në Kosovë”.
“Kjo është forma më klasike e manipulimit të ofertave në prokurim publik, ku shpeshherë një përfitues i vetëm ka dy apo tri kompani dhe bën oferta me matematika të ndryshme në mënyrë që të fitojë oferta më e shtrenjtë”, thotë ajo.
Sipas Ndrecajt, përgjegjësia për ruajtjen e parasë publike bie mbi autoritetin kontraktues, në këtë rast komuna.
“Autoritetet kontraktuese në përgjithësi i njohin të gjithë operatorët ekonomikë. Operatori ekonomik e ka një qëllim të vetëm, përfitimin e kontratës. I takon Autoritetit kontraktues që të detektojë në rast që kompanitë bëjnë devijime ligjore”, thotë Ndrecaj.
Sa i përket faktit që në tenderin me dy ofertues, njëri është shpallur i papërgjegjshëm, Ndrecaj thotë se ndonjëherë kjo bëhet qëllimshëm.
“…sepse një operator ekonomik që, ta zëmë, ka kontrata milionëshe me shtetin apo autoritete të tjera kontraktuese, është nonsens [nuk ka kuptim], që në një procedurë tjetër të tenderit të shpallet i papërgjegjshëm për shkak të mungesës së ndonjë dokumentacioni apo mosplotësimit të kriterit”, nënvizon ajo.
Në uebfaqen e kompanisë “Famis Co”, si projekte të tyre janë paraqitur edhe të tilla si, unaza e jashtme në komunën e Prishtinës dhe një mbikalim në fshatin Komoran të Drenasit.

REL-i ka dërguar pyetje lidhur me këtë çështje te kompania “Famis Co”, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.
REL-i i ka shkruar edhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për të kërkuar interpretim lidhur me atë se a përbën shkelje kjo situatë, por ende nuk ka marrë përgjigje.