Projekti për furnizim me gaz në tokat shqiptare projekt kombëtar apo antikombëtar?

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Sa më tepër që po kalon koha, po shihet se ҫfarë kurthesh i janë bërë dhe po i bëhen shqiptarisë mbarë. Ka kohë që po flitet edhe për furnizimin e shqiptarisë me gaz të huaj, i lëngshëm apo gaz natyror rus.
Burimet energjetike kanë qenë, janë dhe mbeten problemet kryesore të njerëzimit, saqë edhe luftërat në botë bëhen kryesisht për përvetësimin e tyre.


Ka vite që përgjithësisht mes shkrimeve analitike, librit etj., e kemi trajtuar punën e pasurive tona natyrore kombëtare dhe veçanërisht të burimeve energjetike si baza kryesore e këtyre pasurive kolosale të cilat i posedon gjeografia shqiptare, e që njëherësh janë edhe vet jeta, ngase pa energji s’ka jetë.


Më tepër se çfarë kemi shkruar në analiza dhe në librin Energjia rreth kësaj çështjeje s’kemi çfarë të themi, megjithatë për këtë projekt skajshmërisht kontraproduktiv ndiejmë obligim për të thënë të vërtetën për opinion, meqë jemi njohës të mirë të kësaj fushe.
Cilido që të jetë qëllimi i fundit për projektin e gazit i cili sa vjen e aktualizohet, shqiptarët nuk duhet kurrsesi ta pranojnë këtë projekt gazi si bazë për TC.

Pse nuk duhet ta pranojnë:
1.
*Të importosh gaz nga jashtë me çmime sot për sot marramendëse të cilat vështirë po i përballojnë edhe shtetet e fuqishme të botës, e të flesh mbi qymyr, do të thotë të realizosh një vepër kriminale ndaj popullit tënd.

*Tokat shqiptare janë më të pasurat në Evropë me burime energjetike, prandaj nuk kanë nevojë për import të gazit të huaj.

*Mungon infrastruktura për transport të gazit.

*Sipas unionit Internacional IGU që merret me zhvillimet teknike dhe ekonominë e gazit, bota ka vetëm edhe 67 vite rezerva të gazit.
Burimi: https://www.dvgw.de/der-dvgw/dvgw-international/igu

*Edhe gazi sikurse edhe qymyri është burim fosil i energjisë, i cili shkakton 50% më pak CO2 gjatë djegies se sa qymyri, por gazi përbëhet nga metani dhe mjafton një sasi shumë e vogël të rrjedh gjatë përdorimit dhe të shkaktojë dëme katastrofale të mjedisit, sepse methani ndikon 20 herë më keq në ngrohjen globale të ambientit se sa CO2.

*Sa më shumë që kalon koha, rezervat e gazit natyror në botë zvogëlohen, e më këtë rast aq më shumë çmimi i gazit shtrenjtohet. Konsumatori shqiptar me standardin që ka sot në tokat shqiptare, e ka të pamundur t’i përballoj çmimet drastike të rritjes linear të gazit.
Në Gjermani edhe pse çmimi i gazit është me i ultë se në 11 shtetet e tjera të Evropës, prapëseprapë çmimet e gazit janë bërë të papërballueshme. Ja një shembull konkret:

Derisa më 12.11.2020 një KWh gaz ishte 0,36 cent, sot më 27.10.2021 çmimi është 0,62 cent. (Një sqarim plotësues: 1 m³ gaz jep përafërsisht 10 KWh).
Sipas statistikave të Ministrisë së Ambientit, mesatarisht për një vit familjet katër anëtarëshe me një banesë 100 m² harxhojnë 16000 KWh gaz dhe paguajnë 960 euro, kurse një familje gjashtë anëtarëshe me një banim 150 m² paguan 1440 euro në vit (pa llogaritur edhe shpenzimet e rrymës. Duhet ta harrojnë të gjithë se një KWh gaz në Kosovë do të jetë më ultë se sa në Gjermani).

Ja pasqyra e rritjes se çmimit të gazit në bursën botërore:

Burimi: https://www.boerse.de/rohstoffe/erdgaspreis/xd0002745517

Mjafton vetëm këtë grafik ta lexoj me vëmendje dhe të pyesim: Kush dëshiron dhe pse dikush dëshiron ta shkatërrojë këtë popull kaq të vuajtur ndër shekuj me këso projektesh ogurzeza, kur dihet se po ky popull fle mbi pasurit multimiliardëshe të qymyrit dhe të burimeve minerare?

2. Shteti amë Shqipëria kishte në shfrytëzim burime të mjaftueshme të gazit dhe naftës nga trolli i vet, dhe politika atje, në vend se të pranojë gaz të huajin me çmime të larta, duhet t`i tregoj popullit se ku u tretën burimet vendore.

3. Kosova ka rezerva dhe resurse qymyri për dhjetëra shekuj, pse u dashka të heq dorë nga to kur teknologjia e përsosur e djegies së qymyrit me CCS Teknologji i plotëson të gjitha standardet e kohës rreth klimës dhe mjedisit?!

4. Nëse TC me qymyr paraqesin rrezik për klimën dhe mjedisin, pse nuk paraqesin shqetësim rreth 20 TC me qymyr, shumë nga to të ngritura rishtas dhe në ngritje e sipër në hapësirën ballkanike apo mijëra të tilla që po ngritën në mbarë botën?!

5. Por cilado që të jetë baza e shqetësimit, edhe nëse vërtetë do të ishte klimatike, Shqipërinë, Kosovën, i përjashton nga përgjegjësia, për faktin ngase energjia e përfituar nga këto lëndë djegëse tek ne krahasuar me atë në shkallë botërore, ka ndikim në klimën globale sa një litër uji në oqean.
Bile në këtë pikë, Shqipëria gjithsesi gjenden në krye të listës së shteteve që i shfrytëzojnë burimet ujore për përfitimin e energjisë.

6. Në anën tjetër, nëse shqetësimet kanë bazë klimën dhe mjedisin, pse nuk paraqet shqetësim p.sh. TC Kosova A, që për shumë kohë i ka tejkaluar edhe kriteret më të skajshme të ndotjes, e që pa kurrfarë llogaritje mund të thuhet me siguri që aq sa e dëmton klimën dhe mjedisin për një ditë të vetme ky TC, nuk do ta dëmtoj një TC modern me qymyr me CCS-Teknologji i kohës së sotme edhe për disa vite punë.

7. Pse vetëm shqiptarëve t’u vihen kufizime. A mos ka të bëjë kjo pikërisht me bazën e fuqishme energjetike që kemi dhe dikush ia ka qitur rrethin. Kjo edhe për faktin që deri para pak kohe nuk shqetësonte njeri as institucion ndërkombëtar projekti “TC Kosova e re” që ishte interes i huaj dhe fatbardhësisht u spostua.

No description available.

Kush duhet ta japë fjalën kryesore për projektin e gazit të huaj në tokat shqiptare?

Në kushte normale institutet përkatëse kërkimore shkencore, por fatkeqësia është që shqiptaria mbarë, jo pa qëllim, ka kohë që i ka shuar ato institute, shumë sosh në Shqipëri e disa në Kosovë.
Në situatën aktuale, populli shqiptar do të donte t’i shihte kryeministrat shqiptarë Edi Rama dhe Albin Kurti, të ulur së bashku në Tiranë duke promovuar institute të tilla gjithëkombëtare, mbi bazën e analizave të të cilave ata do ta kishin të lehtë të vendosnin mes projekteve të huaja dhe për interesa të huaja, apo projekteve vendore dhe për interesa gjithëkombëtare, në vend se ta promovonin ndaras MSH serbosllav!
Populli shqiptar duhet të vetëdijesohet dhe të kuptojë, sa vijon:
Është e vërtetë se shkak i shterimit të burimeve, kriza energjetike botërore sa vjen e rritet. Gjithashtu është e vërtetë se një vend që ka burimet kolosale energjetike në trollin e vetë, të paktën për dhjetëra shekuj, quhet shqiptari.


Pra te ne, nuk paraqet shqetësim mungesa e burimeve energjetike, por shqetësim në rritje paraqet mbrojtja e tyre për interesa të popullit dhe vendit.

Ata që kundrejt këtyre potencialeve kombëtare e problematizojnë stabilizimin e furnizimit me energji, si dhe ngritjen dhe zhvillimin e vendit tonë në përgjithësi, kushdo qofshin: politikanë, analistë, shkencëtarë… vendas apo ndërkombëtarë, janë po ata vetë problemi i stabilizimit, i ngritjes dhe i zhvillimit të vendit tonë.

Ata janë, të paktën, fatkeqësia e këtij vendi dhe e popullit tonë.

Shkruajnë:
Inxh. i dipl. Abdullah Begolli
Inxh. i dipl. Xhafer Murseli


Të ngjashme