Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar Raporti me amendamente në Projektligjin nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik si dhe Raporti me amandamente në Projektligjin për Prokurorin e Shtetit.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu propozoi që në amandamentin 25 të shtohet një pjesë e cila do t’i ndalonte një zyrtari të lartë ushtrimin e dy funksioneve.
Ndonëse nuk mori përkrahjen e komisionit, ky propozim i kryetares nxiti debat tek anëtarët e komsionit për legjislacion.
“Amandamentin 25 grupi punues e ka propozuar që komisioni me rishiku. Ne kemi propozuar që kjo praktikë të ndërpritet dhe nenit 12 t’i shtohet që zyrtari i lartë të mos mund të ushtroj dy funksione në sektorin publik. Është e vërtetë që kjo nuk e zbut papunësinë, por keni parasysh që kur një zyrtar i bën 4 vende, 5 vende pune asnjërën nuk e bënë si duhet, pastaj dëmtohet edhe buxheti i shtetit, por duhet tu jepet hapësirë edhe të tjerëve”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti nga radhët e Nismës, Bilall Sherifi tha se ky amandamentt nuk do të kalojë në seancë pasi prek interesat e deputetëve të cilët kanë më shumë se një post zyrtar.
Ai ndonëse tha se do të përkrah këtë propozim ngriti dilema se kush do të preket nga ky amandament e kush jo.
“Kam dilemat e mia se a është vend pune deputeti a është vend pune ministri, për mendimin tim janë mandate dhe dallon me dikë me pozitë të lartë me kontratë… mendoj që do të ndërhynte te liritë dhe të drejtat e njeriut që siguron të drejtën e punës”, ka thënë Sherifi.
“Nuk besoj që do të kaloj edhe për faktin se gjysmën e deputetëve e kemi në konflikt me këtë”, ka shtuar ai.
Mosmiratimin e këtij amandamenti e kërkoi deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa.
“Konsideroj se sot duhet me i miratu amandamentet që janë në përkrahjen e komisionit. Prandaj me gjithë respektin propozoj që mos me u miratu amandamentet që janë të propozuara. Unë kisha kërkuar që ky amandamemt të mos e merr përkrahjen e komisionit, por të shkoj në seancë pa përkrahjen e komisionit”, ka thënë Beqa.
Mirëpo miratimin e këtij amandamenti, Korab Sejdiu e konsideroi revolucionar, ndonëse tha se i vjen keq se ky projektligj është trajtuar me procedurë të përshpejtuar.
“Po më vjen shumë keq që ky ligj është trajtuar me procedurë shumë të shpejtë. Mendoj që është njëfarë vendimi revolucionar, shpresoj të kalohet edhe pse dyshoj për shkak të interesit të deputetëve që i kanë nga dy pozitat”, ka thënë Sejdiu.
Në fund të mbledhjes së komisionit për t`u miratuar në seancë është proceduar edhe Projektligji për Prokurorin e Shtetit.