Projektligji i ri, GLPS: U ulen rrogat gjyqtarëve, rritet ajo e kryeministrit

Prishtinë | 22 Tet 2022 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) si organizatë e specializuar në fushën e administratës publike në vazhdimësi ka përcjell reformat e ndërmarra dhe ka dhënë kontribut të vazhdueshëm për të përmirësuar politikat publike dhe legjislacionin në këtë fushë.Së fundmi, GLPS, përmes platformës së konsultimeve publike është njoftuar rreth ndryshimeve të kornizës ligjore të administratës, përkatësisht projektligjit për zyrtarët publik dhe projektligjit për pagat në sektorin publik.

Sa i përket projektligjit për zyrtarët publik, GLPS me shumë kujdes ka analizuar të gjitha ndryshimet duke bërë një krahasim në mes të ligjit aktual për zyrtarët publik, aktgjykimit Nr. KO203/19 të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve për administratën publike të SIGMA/OECD.

“Vlerësimi ynë për ndryshimet e bëra përmes këtij projektligji është se të njëjtat janë mjaftë serioze dhe në fakt e ndryshojnë komplet konceptin e shërbimit civil përmes: zëvendësimit të sistemit të zhvillimit të karrierës në sistem të pozitës, vendosjes së kontratave të afatshme prej 4 viteve për pozitat menaxheriale, rikthimit të mekanizmit të ushtruesve të detyrës, degradimit dhe listave pritëse, dhe duke bërë rregullime për transfere të cilat mundësojnë ndërhyrje politike dhe jo-meritokraci si në pranimin e nëpunësve ashtu edhe në menaxhimin e tyre. Këto ndryshime përveç se nuk janë në pajtim me parimet e SIGMA/OECD të njëjtat praktikisht lejojnë diskrecion të politikës ditore për të ndërhyrë në shërbimin civil dhe përfundimisht për të cenuar qëndrueshmërinë e vet administratës publike e cila sinjifikohet me vet shërbimin civil. Këto ndryshime do të prodhojnë pasoja zingjirore dhe mund të shërbejnë si precedent për të ndërhyrë në shërbimin civil nga secila qeveri”, thotë GLPS.

Në këtë drejtim, GLPS i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publik të fokusohen vetëm në ato që janë përcaktuar në aktgjykimin Nr. KO203/19 të Gjykatës Kushtetuese ndërsa ndryshimet tjea të bazohen në evidencë dhe përmes hartimit fillimisht të politikave duke përzgjedhur opsionin i cili është më i rekomanduari për zgjidhjen e problemeve të identifikuara. Institucionet përkatëse të fokusohen dhe mobilizohen në zbatimin e legjislacionit për zyrtarët publik dhe jo në zgjidhje afatshkurtra të cilat mund të sjellin pasoja të dëmshme dhe precedentë të rrezikshëm dhe dëme të pariparueshme në shërbimin civil, dhe në tërë administratën publike.

Në anën tjetër projektligji për pagat në sektorin publik është shumë i rëndësishëm për faktin se korniza ligjore është mjaft e fragmentuar me rreth 58 akte të ndryshme ligjore e nënligjore që kanë sjellë pabarazi të theksuar në paga për punë të njëjta në sektorin publik.

GLPS edhe për projektligjin për pagat ka identifikuar disa çështje të cilat mund të ngrisin prap diskutim kushtetues por mund të jenë problematike edhe gjatë zbatimit në praktikë.

Projektligji i ri dështon që në mënyrë thelbësore t`i adresoj çështjet e përcaktuara në aktgjykimin Nr. KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese me të cilin shpallet i pavlefshëm Ligji Nr. 06/L-111 për pagat në sektorin publik. Fushëveprim jo i plotë (përsëri përjashtohen nga fushëveprimi të gjithë të punësuarit në Agjencionin Kosovar për Intelegjencë), kritere artificiale dhe abstrakte për caktimin e pagës( tipi i institucionit dhe kualifikimi të cilat në vet koeficientet nuk janë zbatuar) shkelje e vet parimit të transparencës i përcaktuar me këtë projektligj ( mungon vlera e koeficientit) paga të pabarabarta për punë të njëjta, nivel më i ulët i pagave në institucione të pavarura kushtetuese, rregull i pazakont i caktimit të pagave në nivelin lokal (duke u bazuar në numrin e popullsisë) i cili mund të jetë precedent që edhe pagat për pozicione tjera të kërkohen me këtë kriter, zvogëlim page në degën e gjyqësorit dhe kategorive tjera përkundër shtesës transitore, rritje e pagës në mënyrë lineare në bazë të përvojës pa ndonjë kufizim në kategori dhe kohë, janë vetëm disa nga të gjeturat e tona”, thotë GLPS.

Sa i përket shtesave të propozuara me projektligjin e ri, GLPS vëren se disa nga to janë të panevojshme dhe të pajustifikueshme, nuk ka kufij në lidhje me vlerën e disa shtesave gjë që lë diskrecion të madh që lehtë mund të keqpërdoret në praktikë, ngatërrim në mes të pozitës dhe profesionit në përcaktimin e shtesës, dhe nuk është përcaktuar saktë kategoritë e përituesve. I tërë ky rregullim krijon ambiguitet dhe hap rrugë për keqinterpretime e keqpërdorime të mundshme gjatë zbatimit në praktikë.

Edhe tek ky projektligj, sipas GLPS Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të bazohen plotësisht në të gjeturat dhe udhëzimet e Aktgjykimit Nr. KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese dhe të vendos standarde dhe rregulla të cilat për bazë e kanë parimin pagë e njëjtë për punën e njëjtë dhe kësaj t’i paraprij një proces klasifikimit ndërsa shtesat të rishikohen dhe parim kryesor për dhënien e tyre të jenë vetëm ato karakteristika të cilat janë të pamundshme të merren parasysh gjatë caktimit të koeficientit.

“Të dy këto projektligje janë jashtëzakonisht të rëndësishme për rregullimin dhe funksionimin e mirëfillt të administratës publike, dhe për këtë, duhet të hartohen për t’i adresuar të gjitha çështjet kryesore dhe për të mos lënë vend për keqinterpretime në të ardhmën”, ka thënë GLPS.

Të ngjashme