Senati i Argjentinës ka kundërshtuar një projektligj, i cili do ta legalizonte abortin në 14 javët e para të shtatzënisë.
Pas një debati maratonik, 38 senatorë kanë votuar kundër derisa 31 të tjerë kanë përkrahur të njëjtin.
Kjo gjë nënkupton se ligjëvënësit duhet të presin një vit për të nisur sërish procedurat për këtë legjislacion.
Aktualisht aborti në Argjentinë është i lejuar vetëm në raste të dhunës, apo nëse shëndeti i nënës është në rrezik.
Protestuesit në të dyja anët e debatit janë mbledhur jashtë parlamentit në kohën kur po ndodhte votimi.
Aktivistët që përkrahin abortin kanë tentuar me vite që të kalojnë legjislacione dhe përpjekjet e tyre janë rritur kur presidenti, Mauricio Macri, që personalisht kundërshton abortin, i ka bërë thirrje Kongresit që ta konsiderojë atë.
Në muajin qershor, Dhoma e Ulët e parlamentit pati kaluar ngushtë projektligjin, pas gati 24 orësh diskutime, çka pati shtyrë qindra mijëra gra të qëndronin jashtë objektit.