Projektligji për arsimin e lartë tërhiqet për të dytën herë

Prishtinë | 31 Mar 2017 | 08:14 | Nga

Projektligji për arsimin e lartë për të dytën herë është larguar nga rendi i ditës në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës
Derisa vitin e kaluar projektligji ishte tërhequr me arsyetimin se duhen disa konsultime, në seancën e së enjtes, Projektligji është tërhequr “për t’u bërë disa ndryshime” në Komisionin për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe sport,.

Me 42 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime është votuar kërkesa e kryetarit të Komisionit, Nait Hasani, që projektligji të largohet nga rendi i ditës.

Kundër kësaj kërkese kanë dalë deputetët e opozitës, ndërsa ata të pozitës dhe të minoriteteve e kanë përkrahur këtë propozim.

Ministri i Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka theksuar se ai është përgatitur që ligji të kalojë në lexim të parë, por, siç ka thënë, nëse komisioni ka nevojë për konsulta shtesë nuk ka ndonjë problem. Fajin pse projektligji nuk ka shkuar në seancë deri tani, Bajrami ia ka hedhur mungesës për një kohë të gjatë të opozitës dhe bojkotit të Listës Serbe.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve të arsimit vlerësojnë se miratimi i projektligjit është i rëndësishëm dhe si i tillë ai duhet sa më shpejt të shkojë në seancë. Eksperti i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, ka thënë për gazetën se çdo prolongim i tij është me pasoja për sistemin e arsimit.

E eksperti tjetër i arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se Ligji për arsimin e lartë bën pjesë në kategorinë e legjislacionit për aprovimin e të cilit nevojitet pëlqimi i deputetëve serbë. (Koha Ditore)

Të ngjashme