Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Rexhepi ka ftuar deputetët që ta votojnë projektligjin për Byronë Shtetërorë për Konfiskim të Pasurisë së pajustifikueshme në lexim të parë, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se askush nuk mund të ketë luks të pajustifikueshëm, ku qytetarët punojnë ndershëm.
“Kjo nuk është padrejtësi, kjo është logjikë e drejtë e funksionimit të një shteti të së drejtës. Sepse askush nuk mund të pretendojë luks të pajustifikueshëm në një shoqëri ku qytetarët punojnë ndershëm dhe paguajnë taksa. Ky ligj parashikon edhe masa të shpejta dhe efektive: ngrirjen e pasurisë, ndalimin e transferimit të saj dhe sigurimin që ajo të mos zhduket para se drejtësia të veprojë. Kjo është e domosdoshme sepse korrupsioni nuk është statik, por ai lëviz, fshihet dhe adaptohet. Prandaj edhe shteti duhet të jetë një hap përpara. Të nderuar kolegë, ky projektligj ka edhe një dimension shumë të rëndësishëm: besimin e qytetarëve. Sot qytetarët nuk kërkojnë vetëm ligj, ata kërkojnë drejtësi reale. Ata duhet ta shohin se askush nuk është mbi ligjin, pasuria e pajustifikueshme nuk mund të tolerohet dhe shteti është në anën e tyre. Ky ligj jep pikërisht këtë mesazh: ai është në anën e qytetarit të ndershëm, në anën e atyre që punojnë, sakrifikojnë dhe kontribuojnë për këtë vend, dhe është kundër atyre që e kanë keqpërdorur besimin publik për përfitime personale. Të nderuar deputetë, ne nuk mund të ndërtojmë një shtet të fortë mbi padrejtësi, nuk mund të kemi zhvillim ekonomik pa barazi dhe nuk mund të kemi besim në institucione pa përgjegjësi. Prandaj sot nuk është thjesht një votim teknik, sot është një vendim për drejtimin që duam t’i japim shtetit tonë. Sot e kemi rastin të dëshmojmë se secili prej nesh, si përfaqësues i popullit, nëse duam një shtet ku pasuria e pajustifikueshme tolerohet apo një shtet ku drejtësia vepron. Unë besoj se përgjigja është e qartë, andaj ju ftoj ta mbështesni këtë projektligj në lexim të parë”, tha Rexhepi.
