Projektligji për FSK-në mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë | 20 Mar 2017 | 13:25 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javë më parë i ka dorëzuar kreut të Kuvendit, Kadri Veseli propozimin për ndryshimin e Ligjit për FSK-në.

Sipas ndryshimeve të propozuara nga presidenti, FSK-ja pritet të mos e ndryshojë emrin, por të zgjerohen kompetencat e saj.

Presidenti Thaçi kishte deklaruar se projektligjin në fjalë e ka iniciuar duke u mbështetur në Kushtetutën e Kosovës.

E një nismë të tillë të presidentit Hashim Thaçi janë duke e kundërshtuar vazhdimisht partnerët ndërkombëtar NATO dhe SHBA-ja, të cilët insistojnë në atë se formimi i Ushtrisë duhet të bëhet përmes amendamenteve kushtetuese dhe në bashkëpunim dhe me mbështetjen e të gjithë popullit të Kosovës.

E formimin e ushtrisë vazhdon ta kundërshtojnë deputetët e Listës Serbe, të cilët kanë theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të votojnë pro miratimit të këtij Projektligji në Kuvendin e Kosovës.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se në bazë të nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë por jo edhe e mbrojtjes!

“Vetëm për fjalën mbrojtje kërkohet të amendamentohet dispozita në fjalë, në mënyrë që, të krijohet baza kushtetuese për transformim e FSK-së në Forcë të Armatosur përkatësisht në Ushtri të Kosovës! Referuar organizimit e së andejmi dhe riorganizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sikundër organizimi ashtu edhe riorganizimi i saj mund të bëhet me akt ligjor”, ka thënë Smaka.

Ai ka theksuar më tej se organizimi, ri-organizmi dhe ristrukturimi qoftë substancial i FSK-së, mund të bëhet me ligj të veçantë.

“Ndërkaq, transformimi i FSK-së në FAK përkatësisht në Ushtri të Kosovës, medoemos, Nolens Volens mund të bëhet nëpërmjet amendamentimit të po asaj dispozite madje vetëm me shtimin e fjalës mbrojtje!”, tha Smaka.

I pyetur se a ekziston mundësia që deputetët e Listës Serbe ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, Projektligjin për FSK-në në formën se si është, Smaka nuk e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke theksuar se ka edhe mundësi që Kushtetuesja ta miratojë nismën e Listës Serbe për kontestimin e këtij Projektligji.

“Nisë nga rrjedhat politike dhe influencimet intensive të shtetit serb veçanërisht në Listën Serbe, nga e njëjta mund të pritet nisja e procedurës kushtetuese për vlerësimin e Projektligjit për FAK-un të dhënë nga presidenti i Kosovës. Në dimensionin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, eksiton frika se Gjykata Kushtetuese do të mund të miratojë nismën e Listës Serbe për kontestimin e Projektligjit të sipërpërmendur”, deklaroi Smaka për Telegrafin.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka më tej ka bërë të ditur se presidenti në rrethanat aktuale është dashur që në Projektligjin për Transformimin e FSK-së në FAK të mos e përmend asnjëherë termin ‘mbrojtje’ e as termin ‘transformim’ ashtu që të njëjtat t’i zëvendësonte me terma tjera.

Kjo sipas tij do t’i ndihmonte që Gjykata Kushtetuese edhe po të synonte miratimin e nismës së Listës Serbe nuk do të kishte pas bazë kushtetuese.

Të ngjashme