Projektligji për pagat ka mbetur i bllokuar në Qeveri.
Ndonëse është miratuar me 30 dhjetor të vitit të kaluar nga kabineti i ministrave dhe po atë ditë është nënshkruar nga kryeministri, Isa Mustafa, ky dokument ende nuk është proceduar në Kuvend për t’iu nënshtruar procedurave të mëtejme të shqyrtimit parlamentar.
AktivPress ka marr konfirmimin nga Kuvendi se ende nuk e kanë pranuar projektligjin në fjalë. Por, për këtë gjë del të mos jetë në dijeni këshilltari për media i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu.
Nëpërmjet telefonit, ai ka deklaruar se Projektligji është proceduar me automatizëm në Kuvend, ditën kur është aprovuar në Qeveri.
“Ligji ka kaluar në Qeveri. Siç dihet Qeveria ka votuar për të në mbledhje. Nga ai moment, ai (projektligji v.j) është bërë i plotfuqishëm në aspektin procedurial në Qeveri dhe ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Projektligji kur kalon në Qeveri, automatikisht shkon në Kuvend. Pra, ne e kemi dërguar në Kuvend”, ka thënë Abdullahu për Aktivpress, gjë që mohohet kategorikisht në Kuvendin e Kosovës.
Projektligji për pagat parasheh një sërë ndryshimesh në aspektin e përfitimeve mujore të kategorive të punonjësve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit.
Në mesin e ndryshimeve parashihet që paga e presidentit të zvogëlohet, ndërsa ajo e kryeministrit të rritet.
Po ashtu, në këtë projektligj janë përcaktuar kategoritë që duhet të marrin pagë të njëjtë. E gjithë kjo për ta krijuar një sistem ku zyrtarët në pozicione të njëjta të mos mund të marrin paga në lartësi të ndryshme.