Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e radhës në rend dite ishin Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Referendum, Shqyrtimi i Raportit të Avokatit të Popullit në lidhje me organizimin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale, Shqyrtimi i Raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për Produkte të Ndërtimit.
Shqyrtimi i Projektligjit për Referendum u miratua me 7 vota pro dhe 1 abstenim nga Korab Sejdiu.
Kryesuesja, Albulena Haxhiu tha se Projektligji për referendum i inicuar nga PSD-ja ka shumë mangësi dhe sipas saj ky projektligji ka gabime qesharake. Haxhiu tha se problemet e projektligjit të propozuar janë tejet të mëdha, raporton EkonomiaOnline.
“E drejta për referendum është e pakontestueshme dhe Kosova ka bërë gabim që nuk ka pasur referendum deri më tani”, tha Haxhiu.
Albulena Haxhiu dhe Frashër Krasniqi patën përplasje në lidhje me referendumin të propozuar nga PSD-ja.
Krasniqi tha se Vetëvendosje dhe Haxhiu e kanë problem se PSD-ja e ka inicuar këtë çështje dhe jo se ka probleme në të.
“Për mua dhe PSD-në që ka propozuar këtë projektligj, vlera e tij është ta rregulloj çështjen e referendumit me ligj në Republikën e Kosovës dhe zonja Haxhiu e di që secili referendum e ka kohën e caktuar se kur rregullohen dhe modifikohen, dhe më e rëndësishme është që ky ligj me u fut si rend dite, por nuk do të thotë që nuk do të rregullohet dhe çdo veprim pozitiv që ndodh, që LVV nuk e ka këtë veprim të vetën, e bën si çështje problematike”, tha Krasniqi.
Sami Kurteshi tha se një ligj për referendum është i domosdoshëm.
“Ka probleme rreth përkufizimeve edhe në aspektin e numrave sepse kjo ka të bëjë edhe me numrin çfarë referendumi është, i cilës natyrë, sa nënshkrime kërkohen, kush e inicon,” është shprehur Kurteshi.
Deputeti, Shkumbin Demalijaj, tha se me këtë ligj popullit të Kosovës po i jepet për herë të parë mundësia për të vendosur.
“Është hera e parë që në kuvendin e parë vjen diçka i tillë dhe jam i kënaqur për këtë, pavarësisht se kush ka punu apo tekstualisht a është i punuar mirë, populli i Kosovës po i jepet mundësia me rregullu jetën e tyre dhe përmes referendumit i jepet e drejta me vendos për marrëveshje të ndryshme vet qytetarëve,” tha Demalijaj.
Edhe deputeti, Hajdar Beqa, konsideron se përmbajtja e Projektligjit aktuar për referendum duhet të ndryshohet.
“E përgëzoj PSD-në për inicimin e projektligjit, por ka nevojë shumë për ndryshime,” deklaroi Beqa.
Edhe deputeti Korab Sejdiu pati kritika për përmbajtjen, raporton EO.
“Ose PSD-ja me tërherk këtë projektligj, me marr ni grup punus që e harton më të mirë dhe më pas me propozu prapë, ose ky komision me shty përpara, dhe të sigurohemi që kemi mbështetje nga ekspertët që do vijnë dhe na ndihmojnë,” tha Sejdiu.
Për deputetin, Bilall Sherifi, nuk mund të bëhet ligj jokushtetues.
“Nuk mund të bëjmë ligj jashtë kushtetueses. Duhet me marr njerëz që e njohin Kushtetutën dhe të bëjmë ligje që buron nga Kushtetuta jonë. Neve na vyen një ligj për referendum, por që varet nga Kushtetuta jonë, dhe jo e vendeve tjera”, tha Sherfi.
Komisioni ka shqyrtuar edhe Raportin e Avokatit të Popullit në lidhje me organizimin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale, u përkrah me 6 vota pro dhe 1 abstenim.
Avokati i popullit, Hilmi Jashari u shpreh i kënaqur me përkrahjen e anëtarëve të komisionit në raportin për organizimin e votimit jashtë vendin të zgjedhjet parlamentare dhe lokale.
“Ka qenë synimi i jonë për të ndihmuar Kuvendin dhe duke pas parasyah interesin e përgjithshëm më bëhet qefi për këtë përkrahje”, tha Jashari.
Deputeti, Sami Kurteshi, njëherit dhe ish-drejtuesi i Institucionit të Avokatit të Popullit, tha se mundësia e votimit fizik në vendet ku qëndrojnë bashkatdhetarët tanë është kërkesë e drejtë.
“Votimi mund të behet në ambasada tona dhe realisht zgjedhjet e fundit me sa kam përcjëllur informata nga KQZ-ja, në vendet ku jetojnë bashkatdhetarët tanë janë bërë në mes 15 mijë për njohjen e së drejtës së votimit dhe nuk janë pranuar më shumë se 5 mijë votime përmes postës dhe kjo ka qenë një informatë që unë mbaj mend, pajtohem plotësisht që përmes kësaj të u njihet e drejta e votimit fizik në vendet ku ata jetojnë”, tha Kurteshi.
Deputeti, Hajdar Beqa, tha se kjo çështje është në interes të bashkëatdhetarëve, raporton EO.
“Numëri i tyre është i madh, dhe i votuesve është i vogël, jo pse nuk ka sensibilitet, por ka qenë formë e pakuptimtë dhe jo demokratike, se përmes postës ka mujt një familjar me votu për të gjithë”, tha Beqa.
Deputeti, Billall Sherifi, tha se qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit kanë proceduara të vështira dhe të komplikuara që duhet kryer për të kryer një votim.
Deputeti, Korab Sejdiu, e quajti të shenjtë këtë mundësi për diasporën.
“Është diçka e shenjtë. Besoj se raporti na jep udhëzimin se çka me bë dhe ajo çfarë mund të bëjmë është me propozu këtë, dhe të marrim një vendim për një iniciativë legjislative, për me ndërru Ligjin për zgjedhje të përgjithshme dhe me ia adresu ekskluzivisht çështjet qe ngriten nga Avokati sepse në moment që hapen tema tjera e fundosim nismën legjislative”, tha Sejdiu.