Pa praninë e medieve, presidenti Hashim Thaçi ka ftuar gjyqtarët serbë për ta bërë betimin si gjyqtarë të Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës.
Siç merr vesh Ekonomia Online, 42 gjyqtarë dhe katërmbëdhjetë prokurorëve ishin ftuar për t’u betuar, por nuk kishin ardhur të gjithë.
Përderisa ekipi i Ekonomia Online është larguar nga Kuvendi, nga objekti i organit legjislativ janë parë të dalin kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi e kreu i Gjykatës Supreme, Enver Peci.
Të tre më pas kanë marrë rrugën për në Qeveri. Mediet nuk janë lejuar të qëndrojnë as në oborrin e Kuvendit e Qeverisë.
Gjatë ditës mediet kanë raportuar se gjykatësit serbë do ta bëjnë “betimin neutral”, ku nuk do të ketë tekst të njëjtë me betimin që e bëjnë gjykatësit shqiptarë të Kosovës.
Siç shkruan “Kossev”, në asnjë marrëveshje nuk do të vendoset stema e Kosovës dhe emërtimi Republikë.
Sot është edhe afati i fundit kur Gjykata dhe Prokuroria Themelore duhet ta nisin punën, sipas marrëveshjes së dakorduar në Bruksel.
Presidenca tregon pse nuk u bë betimi i gjyqtarëve e prokurorëve serbë
Zyra e Presidentit, përmes një njoftimi për medie, ka konfirmuar se gjykatësit dhe prokurorët nga komuniteti serb nuk kanë shkuar për betim, raporton EO.
“Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015”.
Sipas njoftimit të presidencës gjyqtarët e prokurorët janë penguar nga Beogradi.
“Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”.
“Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”.
Por mosardhjen e tyre, Presidenca fajëson dhe Bashkimit Evropian.
“Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi”.
Më tej në sqarim thuhet se pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt.