Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, ka thënë se është njoftuar me tendencat për ndikim tek gjyqtari i procedurës paraprake, Ibrahim Idrizi, ku thuhet se gjyqtari i Gjykatës se Apelit, Agim Maliqi ka takuar gjyqtarin pasi atij i është sekuestruar përkohësisht villa në Brezovicë.
“Unë vërtete kam qene i njoftuar për tendencat për ndikim të gjyqtari që ndoshta nuk janë tendenca që konsumojnë elemente të veprës penale. Siç është një mentalitet në Kosovë që te themi për çdo gjë ndoshta tentojnë të ndikohet, jo në vendimmarrje po t’i përcjellët të themi një selame, mirëpo për ato çështje tash për tash nuk mund të deklarohem, unë i kam informu organet kompetente të Këshillit Gjyqësor dhe ata janë kompetent të ndërmarrin veprime të caktuar nëse ka ndonjë shkelje nga gjyqtarët apo zyrtarë tjerë që kanë tentu të ndikojnë në punën e gjyqtarit”, ka thënë Maloku.
Ai ka shtuar, se nuk është informuar formalisht për këtë rast mirëpo për çdo informate janë të detyruar të veprojnë.
“Jo formalisht, jo formalisht por megjithatë si prokuror për çdo infomracion që sigurojmë në çfarëdo forme na jemi të obliguar që ato ta konvertojmë në veprim procedural dhe ta njoftojmë zyrtarisht organet mbikëqyrëse”, është shprehur ai.
Maloku ka shtuar se të gjitha njoftime që kanë pasur si tendencat që dikujt t’i ndërpritet paraburgimi ose të favorizohet me ndonjë mase, kanë njoftuar Këshillin Gjyqësor.
“Çfarëdo forme, mënyre që kemi marrë informacion na e kemi njoftu Këshillin Gjyqësor, konkretisht kryesuesin e Këshillit dhe nuk kisha dashur që të komentojmë ma shumë meqë janë çështje që janë pak edhe konfidenciale dhe për veprime të mëtutjeshme ndoshta edhe mund të dëmtohet hetim dhe nuk kisha preferu që në atë aspekt mos ti komentojmë”, ka thënë Maloku duke thënës e secili duhet të respektojë kodit etik dhe profesional.
Prokurori Maloku ka theksua se është praktikë dhe kulture e sjelljes dhe se ndonjëherë njerëzit nuk janë të vetëdijshëm që me ato veprime pengojnë punën e pavarur të gjyqësorit apo prokurorisë, dhe se me këtë më shumë e pengojnë punën sesa që i bëjnë favor apo ndihmojnë personave të përfshirë.
Për të gjitha këto pretendime është e njoftuar edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, e cila për “Betimin për Drejtësi” ka konfirmuar se jo vetëm për këtë rast por për të gjitha rastet informacionet e pranuara dërgohen menjëherë për verifikim në prokurorinë kompetente.