Dihen arsyet e mundshme dhe shkaktari i zjarrit që shpërtheu në autobusin në autostradën “Struma” në Bullgari. Këtë në emisionin “Lice v lice” të televizionit kombëtar BTV e deklaruan prokurori Biser Mihajllov dhe hetuesi Marian Marinov, të cilët punojnë në ndriçimin e tragjedisë.
Prokurori Mihajllov pohon se nuk ka pasur fuçi me benzinë për kontrabandë dhe mjete piroteknike. Teoritë për “materiale për drogë” janë qesharake dhe nuk meritojnë asnjë koment, thotë prokurori.
“Kategorikisht pohoj se në autobusin në fjalë nuk ka pasur karburant dhe mjete piroteknike”, tha Mihajllov.
Por, siç shton Mihajllovi, fuçi me karburant ka pasur në pjesën e pasme të autobusit, e cila nuk ishte kapluar nga flakët, duke shtuar se këto fuçi nuk e kanë shkaktuar zjarrin. Hetuesi Marinov thekson se ka pasur tuba për naftë për lidhje me sistemin e ngrohjes në autobus, por se ato kanë mbetur të paprekura nga zjarri.
“Në autobus, gjegjësit në pjesën ku gjenden goma e përparme ka hyrë një copë e madhe e gardhit mbrojtës, kurse rezervuari ishte plastik dhe ishte shkatërruar tërësisht. Në rezervuar ka pasur karburant, e karburanti digjet”, tha Marinov.
Hetuesi shton se autobusi ishte shumë i vjetër dhe se është riparuar në Turqi. Të gjitha pajisjet janë zëvendësuar dhe mbetet që të qartësohet nëse është “jofabrik”. Motori i autobusit gjithashtu punon, edhe tash mund të funksionojë pa problem.
Sipas Marinovit, nuk mund të thuhet se gardhi mbrojtës ka qenë në gjendje të keqe, sepse, sipas ekspertëve, ai është vendosur sipas standardeve.
“Edhe po të rregullohej me 100 vida, autobusi sërish do ta thyente, autobusi peshon 18 tonë”, shpjegon ai.
Nafta ndizet shumë vështirë, por ka gjasa të ketë pasur shumë shkëndija. Autobusi është përplasur në anën e djathtë, pastaj në anën e majtë, e në fund sërish në bankinën e djathtë, tha shefja e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, Vilma Ruskoska, në një deklaratë për “Slloboden Peçat”.
“Të jemi të qartë – krim ka, korrupsion ka, por është fakt se për dallim nga e kaluara, tani po veprohet për çdo rast të paraqitur. Në Prokurorinë Publike Themelore në Shkup po zhvillohet procedurë parahetimore, nuk hetohen shkaqet e aksidentit, por aspektet e tjera për të cilat edhe opinioni publik, edhe unë me të drejtë reaguam. Si është e mundur që brenda këtij viti autobusi ta kalojë kufirin 135 herë pa pasur licencë për transport ndërkombëtar të udhëtarëve?”, tha Ruskovska, transmeton Sinjali.
Prokurorja Ruskoska thotë se do t’i presë rezultatet e parahetimit të PPTH-së dhe nëse ka nevojë ata do ta marrin lëndën.