Prokuroria e Hagës e ka përfunduar fjalën e saj në Gjykatën Speciale.
Kryeprokurorja Kimberly West ka treguar se kanë qenë mbi 130 dëshmitarë.
“Mbi 5 mijë prova janë pranuar, 28 mijë faqe transkripte janë këtu, procesverbali është voluminoz, aty paraqitet dëshmia e më shumë se 130 dëshmitarëve që dhanë dëshmi brenda 227 ditëve të gjykimit. Gjykata ka marrë parasysh edhe dokumentet shkresore, të më shumë se 130 dëshmitarëve. Ka qenë privilegj për mua dhe zyrën që përfaqësoj të takoj shumë prej këtyre njerëzve që kanë përjetuar këto ngjarje”, tha ajo.
“Njerëz që kanë jetuar për më shumë se 20 vite me pasojat e krimeve që kanë pësuar në mënyrë të pakuptueshme, edhe viktimat e krimeve për të cilat janë ngritur aktakuza. Zyra ime ka punuar që atyre tu jepet llogari, këto përpjekje e procedim penal janë pjesë e parimit më të shenjtë të drejtësisë, shtetit ligjor. Shteti i së drejtës, në kohën e luftës, është më i rëndësishëm. Kanë kaluar shumë vite, dhe ata që kanë humbur pjesëtarët e familjes, kanë menduar se nuk do të kenë drejtësi, por shteti i së drejtës nënkupton që askush nuk është mbi ligjin. Edhe njerëzit më të fuqishme do të japin llogari. Ne kërkojmë bazuar në prova, të cilat vërtetojnë, kërkojmë të jepet dënimi i duhur. Faleminderit për mundësinë”, tha ajo.
Kryeprokurorja Kimberly West, e cila të hënën kërkoi 180 vjet burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, në përfundim të deklarimeve për secilin veç e veç kërkoi sërish që të akuzuarve t’u jepet dënimi i merituar.
“Ne kërkojmë që mbi bazën e provave të paraqitura, që të akuzuarit të japin llogari dhe t’iu jepet dënimi i duhur”, tha West.
“Ishte privilegj për mua që të takoj shumë prej këtyre njerëzve që i kanë përjetuar këto ngjarje. Ka njerëz, përfshirë të akuzuar që kanë luftuar për vendin e tyre kundër vështirësive, njerëz që kanë kontribuuar në mënyra të ndryshme, që kanë qenë në udhëheqje vendore, njerëz që kanë mbijetuar me pasojat e krimeve. Zyra ime ka punuar që këtyre t’u jepet drejtësia dhe të jepet llogari nga individët përgjegjës, këto janë pjesë e parimit më të shenjtë të drejtësisë dhe shtetit ligjor. Kanë kaluar shumë vjet tashmë dhe ata të cilët kanë humbur pjesëtarë të familjes kanë menduar që nuk do të ketë drejtësi, por askush nuk është mbi ligjin, pra edhe njerëzit më të fuqishëm do të japin llogari”, shtoi kryeprokurorja në fjalë përfundimtare.