Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë D.K.R. caktimin e paraburgimit ndaj tre personave me dyshimin se të njëjtit duke vepruar si bashkëkryerës kishin për të kryer vepër penale “Grabitje” nga neni 329 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Kjo prokurori ndaj tre të pandehurve ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve në drejtim të veprës penale të lartcekur, vepër kjo e kryer me dt. 22.01.2019 në Deçan përkatësisht në parkingun e qendrës tregtare “Viva Fresh”. Lidhur me këtë rast edhe dy persona janë në arrati për të cilët janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të tyre.
Seanca dëgjimore për caktimin e kësaj mase pritet të mbahet para Gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda.