Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, ka mbajtur takim me zyrtarët përgjegjës policor nga stacionet policore brenda kompetencës të kësaj prokurorie dhe mbrojtësit e viktimave, me qëllim të koordinimit sa më të mirë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Kryeprokurori Kurmehaj, gjatë takimit është shprehur se është shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje, sidomos në muajt e fundit, si dhe, ka kërkuar nga zyrtarët përgjegjës koordinim të plotë mes institucioneve kompetente, për ndërmarrjen e veprimeve sa më të shpejtë dhe efikase për trajtimin e këtyre rasteve.
Gjatë këtij takimi, si konkluzion u nxor, se në rastet e kanosjeve, fillimisht të bëhet sigurimi i viktimës nga njësitet policore, kurse më pas të merren me ndjekjen e të dyshuarit, se në rastet recidive të dhunës në familje të trajtohen me prioritet dhe seriozitet më të theksuar, thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu, u konstatua se është e nevojshme të rritet bashkëpunimi me institucionet tjera përgjegjëse për ngritjen e kapaciteteve dhe kushteve nëpër qendrat strehimore ku trajtohen viktimat e dhunës në familje.
Vlen të theksohet se në Prokurorinë Themelore të Pejës, për rastet e dhunës në familje është i caktuar një prokuror i cili merret ekskluzivisht me këto raste.