Prokuroria e Tiranës nis hetimet procedurale në selinë e PD-së

Prishtinë | 08 Jan 2022 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

15:26 Prokuroria e Tiranës nis hetimet procedurale në selinë e PD-së

Policia e Shtetit informon se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës.

Në njoftimin e Policisë së Shteti bëhet e ditur se “duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme”.

“Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllimi zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë. Në vijim do të ketë njoftime të tjera lidhur me këtë situatë”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme.

15:08 Basha hap dyert e partisë për gazetarët, policia nuk i lejon: Është skenë krimi, po hetojmë

Pas përfundimit të protestës së thirrur sot nga ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i PD Lulzim Basha ka hapur dyert e zyrës së tij për gazetarët.

Basha ka ftuar gazetarët të futen brenda selisë bashkë me kamerat e tyre për të pasqyruar gjendjen e saj pas vandalizmit nga ana e protestuesve.

Nga ana tjetër policia nuk e ka lejuar një gjë të tillë pas godina e PD është shpallur skenë krimi dhe tashmë policia dhe prokuroria po mbledhin prova për hetimin e plotë të saj.

Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka tentuar të negociojë me efektivët të lejojnë gazetarët të futen brenda.

15:05 Basha fton gazetarët në selinë e PD, pritet reagimi i parë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pritet të bëjë reagimin e parë pas largimit të protestuesve dhe Sali Berishës nga selia e PD.

Basha ka ftuar mediat të shkojnë në seli, pasi do të ketë një komunikim për situatën kaotike të krijuar sot në selinë e PD, ku u desh ndërhyrja e policisë, FNSH dhe RENEA për të shpërndarë turmën.

“Mediat televizive janë të ftuara të hyjnë tani në seli pasi do të priten nga kryetari Basha në zyrën e tij. Mediat të vijnë me kamerat live”, thuhet në njoftim.

14:49 Pamje pas protestën për selinë e PD-së

Policia dhe prokurorët janë futur tashmë në godinën e Partisë Demokratike, të cilët e kanë rrethuar atë më shirita të verdhë duke e shpallur skenë krimi.

Ekspertët janë duke siguruar prova tashmë për gjithçka ndodhi për dy orë me radhë në selinë e demokratëve, ku shkatërrimi është i madh.

Protesta nisi para orës 11:00 duke tentuar futjen në brendësi të godinës nëpërmjet përdorimit të mjeteve të rënda me qëllim thyerjen e dyrëve.

Gjatë përplasjes për dy orë me radhë mes mbështetësve të Berishës që tentuan futjen në godinë dhe mbrojtësve të godinës u përdoren edhe mjete të forta, ndërsa pati edhe të lënduar nga të dyja anët.

Policia ndërhyri menjëherë pasi situate u përkeqësua. Kreu i Policisë së Tiranës tha se ndërhynë pas telefonatës së drejtuesve të PD-së.

14: 33 Berisha mbyll protestën e dhunshme: Do rikthehemi me forma të fuqishme

Ish-kryeministri Sali Berisha mbylli protestën e dhunshme para PD-së pas më shumë se 3 orësh. Por ai paralajmëroi protesta e sotme nuk është fundi pasi do të rikthete në një formë edhe më të dhunshme.

“Kjo protestë ju faktoi shqiptarëve fytyrën e vërtetë të regjimit të sotëm. U faktoi në mënyrë përfunditmare se Edi Rama mban peng Lul Bravën dhe bashkë me të me mban me dhunë dhe terror selinë e PD-së. Ky përbën një akt të pashembullt në 30 vite.

Sot ne do shpërndahemi. Sepse janë vërsulur si bisha për të mbushur komisariatet. Do kujdesimi për të plagosurit që janë goditur me carje koke dhe në forma të tjera. Do njoftojmë shumë shpejt betejën tjetër të cilat nuk ndalet kurrë deri në fitore të plotë. Ju ftoj ta mbyllim këtë protestë këtu për ta vazhduar në mënyrën më absolute me forma edhe më të fuqishme se sa kjo sot”, tha ish-kryeministri.

14:11 Berisha dhe protestuesit nisen sërish drejt selisë së PD-së, Policia u pret rrugën me gaz lotsjellës

Sali Berisha i ka mbledhur sërish protestuesit, dhe janë nisur sërish drejt selisë së Partisë Demokratike.

Por policia i ka ndaluar duke hedhur gazlotsjellës.

Sali Berisha tha për gazetarët se protesta e sotme është vetëm faqja e parë e atyre që priten të ndodhin.

Berisha: Kjo është opozita e vërtetë, jemi të pamposhtur në vlerat që ne besojmë, është një beteje që s’do ketë të sosur, kjo që patë sot është vetëm shfaqja e parë e saj. Asgjë nuk i pengon ata, kjo është faqja e parë, shoqëria shqiptare do të çlirohet nga ky narkoshtet si forma më e keqe e diktaturës. Kreu i meduzës përdori sot të gjithë mjetet për të shpëtuar Lul Bravën.

13: 57 Drejtori i policisë së Tiranës jep detaje për protestën

Drejtori i Policisë së Tiranës tha se na erdh kërkesa nga disa deputetë për të ndihmuar dhe siç tha ai ndërhynë

Para medieve në Shqipëri, drejtori i policisë së Shteti tha se të gjithë protestuesit që kanë përdorur akte dhune do të mbajnë përgjegjësi

“Ju ishit të pranishëm vetë dhe e patë se lëvizjet e protestuesve ishin të dhunshme. Na erdhën kërkesa për ndihmë ku deputetët thonin se u kërcënohej jeta, prandaj edhe ne ndërhymë. Të gjithë protestuesit që kanë përdorur akte dhune do të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.

Drejtori tregoi më tej edhe se kush e hodhi gazin lotsjellës.

“Nuk e dimë këtë, do hetohet dhe do e çojmë para përgjegjësisë”, tha ai më tej.

13: 52 Përlotet Grida Duma: Moment i rëndë, nuk e imagjinoja 

Nënkryetarja e PD-së Grida Duma ka reaguar ashpër kundër dhunës së ushtruar nga mbështetësit e Sali Berishës.

“Kjo është PD sot. Moment i rëndë, jo vetëm për gazin, dhunën. Zonjat që ishin brenda ishte të bindura që nuk ka një demokrat që sulmon një demokrat. Padyshim, erdhëm këtu me besim që asnjë njeri me integritet nuk mund t’i lërë kauzat përgjysmë. Unë nuk besoj te dhunë, nuk besoj te saldimi i portave, te heqja e vidave, por besoj që duhet të ketë një ndërgjegje të madhe me këtë lidership, që t’i thoja hajdeni futuni brenda. Ata duhet të gjenin mënyrën për të diskutuar qetësisht, se kurrë nuk besohej që dhuna, fyerjet, sharjet nuk duhet të ndodhin mes demokratëve. Që mund të ndodhte e imagjinoja, që s’duhej të ndodhte në këtë kohën kjo nuk mund të imagjinohej. Është një fatkeqësi që ne që kemi bërë protesta kundër Ramës, të protestojmë kundër njëri-tjetrit. E papranueshme. Kërkohet zgjidhje”, tha Duma.

13: 44 Protestuesit me në krye Sali Berishën nisen drejt kryeministrisë

Protestuesit e mbledhur për të mbështetur Sali Berishën janë drejtuar tashmë drejt kryeminsitrisë pasi u shpërndanë nga selia e PD.

“Opozita e vërtetë është kjo që po shihni ju, vigane dhe në këmbë. Unë garantoj shqiptarët se jemi dhe do mbetemi të pamposhtur në vlerat tona. Ky ishte një skenar i përgatirtur me kujdes gjatë këtyre ditëve. Nuk kishte njeri problem me asnjë deputet të PD përveçse me pengun e Edi Ramës që quhet Lul Brava. Kjo është një betejë që nuk do ketë të sosur dhe ju garantoj se kjo që patë sot është vetëm faqe e parë e saj”, tha Berisha.

VIDEO

13:40 Momenti kur policia ndërhyn për të shpërndarë mbështetësit e Berishës

Policia ka nisur një operacion të gjerë për largimin e mbështetësve të ish-kryeministrit Berisha nga selia e Partisë Demokratike.

Fillimisht është ndërhyrë nga pjesa lindore e saj duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në perimetrin e jashtëm të selisë, ndërsa është marrë nën kontrolle dhe vetë godina.

Më pas, policia ka ndërhyrë edhe nga pjesa që lidh rrugën “Xhorxh Bush” me unazën e Tiranës, duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të mbështetësve të Berishës.

Këta të fundit janë larguar bashkë me Berishën, i cili u pa më herët me një maskë kundër gaz në shkallët pranë selisë së PD-së.

13: 31 Kjo është gjendja e Sali Berishës pas hedhjes së gazit lotsjellës

Po vazhdon edhe më tej protesta para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gjatë protestimit, nga brenda selisë është hedhur gaz lotsjellës.

Pas hedhjes së gazit, Berisha është deklaruar për gjendjen e tij shëndetësore.

“Gjendja ime shëndetësore është e shkëlqyeshme”, është shprehur Berisha

13: 18 Berisha del nga selia e PD, mezi flet nga gazi: Policia po bën detyrat e Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha është gjetur në vështirësi në deklaratën që ka dalë të japë para mediave nga jashtë selisë së Partisë Demokratike.

Pas ndërhyrjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, protestuesit janë larguar me gaz lotsjellës dhe ujë, por Berisha disa deputetë dhe mbështetës së tij, janë jashtë PD.

“Policia po bën detyrat e Edi Ramës“,tha Berisha i cili mban të vendosur një maskë kundragaz.

13: 12 Policia largon protestuesit nga selia e PD-së

Policia e Shqipërisë ka larguar protestuesit, që po tentonin të hynin në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, mbështetës të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, të cilët tentuan që të hynin në selinë e partisë.

Aktualisht selia e PD-së është e rrethuar nga njësitet e policisë ndërkohë që dhjetëra protestues po kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e rënies në kontakt me gazin lotsjellës.

Policia tha se ndërhyrja u bë me kërkesë të një grupi të deputetëve të Partisë Demokratike “të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit”, u tha në njoftim.

13:06 Basha kërkoi ndihmë, policia e shtetit: Po vijmë të ndërhyjmë

Policia e Shtetit është nisur drejt selisë së PD-së pas thirrjes së Lulzim Bashës për të ndërhyrë për të shmangur gjakderdhjen dhe viktimat, pasi godina u pushtua nga mbështetësit e Sali Berishës.

Policia e Shtetit

Në bazë të një kërkese të bërë Policisë së Shtetit, nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit, sqarojmë se:

Policia e Shtetit është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës.

Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të  përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin.

13: 04 Incidentet para PD-së, reagon Ilir Meta: Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje demokratikePresidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me tensionet e krijuara në selinë e Partisë Demokratike këtë të shtunë nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili disa javë më parë thirri një protestë kombëtare me qëllim nxjerrjen jashtë nga godina e selisë të kryetarit Lulzim basha.Në një deklaratë për mediat, Presidenti Meta ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë, shmangien e akteve të dhunës, provokimeve dhe tensioneve të panevojshme.

“Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, thotë Meta.

Presidenti nënvizon se rëndësia e protestës paqësore, si një e drejtë fondamentale në demokraci, plotësisht legjitime dhe kushtetuese, duhet respektuar nga të gjithë!

Mbështetësit e Berishës janë futur në selinë e Partisë Demokratike duke përdorur trapanë e çekiçë. Ata po tentojnë të hapin dyert e blinduara të godinës.

Protestuesit kanë thyer disa xhama të selisë dhe kanë hedhur mjete të forta gjithashtu.Nga brenda në drejtim të protestuesve është hedhur një solucion që dyshohet si gaz lotsjellës dhe fikës zjarri.

“Kujt ua mbyll dyert Basha? Demokratëve?” ishte pyetja qe drejtoi Berisha gjatë zhvillimit të protestës.

13:03 Basha kërkon ndihmën e Ramës: Të ndërhyhet për të shmangur viktimat

Partia Demokratike reagon sërish për protestën e dhunshme që po zhvillohet jashtë selisë blu, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. PD akuzon Berishën se “po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme”.

DEKLARATE E PARTISE DEMOKRATIKE

Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme! Me një akt të paprecedentë, mercenarët nën urdhrat e tij, po sulmojne godinën e Partisë Demokratike, duke vënë në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë..

Gjakderdhja duhet ndalur nga institucionet ligjzbatuese!

I bëjmë thirrje institucioneve të ndërhyjnë për të shmangur viktimat e dhunës së Sali Berishës mes demokratëve!

12:57 Mes gazit dhe tensionit, Berisha hyn në PD

Sali Berisha ka hyrë brenda selisë së PD, mes gazit që hidhet nga brenda godinës dhe tensionit të protestuesve.

I shoqëruar nga shumë mbështetës ai është futur në derën e shpërthyer nga protestuesit më herët.

Ndërkohë një lëndë në formë spraji, po hidhet nga brenda dyerve dhe dritareve të PD ndaj protestuesve që me çdo kusht kërkojnë të hyjnë brenda.

Ata deri tani janë sprapsur, por nuk dihet nëse situata do vijojë të jetë kështu.

Vazhdimisht protestuesit po tentojnë me vare dhe mjete të tjera të forta, për të gjetur një rrugë për të hyrë në PD.

12:52  Reagon delegacioni i BE-së: Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë

Situata e tensionuar dhe e pazakontë që po zhvillohet ditën e sotme në protestën e demokratëve ka ngjallur shqetësim të madh tek ambasadat e huaja në vendin tonë. Në fillim ka qenë ambasada amerikane dhe në vijim ka ardhur edhe reagimi i delegacionit të BE.

Një reagim ka ardhur edhe nga ambasada britanike dhe ambasada gjermane. Në deklarata bëhet thirrje që të ruhet qetësia dhe të gjithë palët e përfshira të heqin dorë nga aktet e dhunshme.

Postimi i Plotë nga Ambasada e Britanike: Mbretëria e Baahkuar është e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga protestuesit në selinë e Partisë Demokratike. I bëjmë thirrje të gjithë të përfshirëve që të shmangin dhunën. Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike dhe ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale.

Reagimi i plotë nga delegacioni i BE:

Delegacioni i Bashkimit Evropian dënon aktet e dhunës që kanë ndodhur sot dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje. Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë.

Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm.

Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në axhendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE.

Reagimi nga ambasada gjermane:

Ambasadori Zingraf mbështet deklaratën e mëposhtme te Delegacionit të BE-së. Në politikën demokratike nuk ka vend për dhunë.
„Delegacioni i Bashkimit Evropian dënon aktet e dhunës që kanë ndodhur sot dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje. Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm. Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në axhendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE.“

12: 47  Sprej masiv në derën e dritaret e PD, protestuesit tentojnë të hyjnë me shkallë por nuk ia dalin

Një lëndë në formë spraji, po hidhet nga brenda dyerve dhe dritareve të PD ndaj protestuesve që me çdo kusht kërkojnë të hyjnë brenda.

Ata deri tani janë sprapsur, por nuk dihet nëse situata do vijojë të jetë kështu.

Vazhdimisht protestuesit po tentojnë me vare dhe mjete të tjera të forta, për të gjetur një rrugë për të hyrë në PD.

12: 35  Plagosen dy nga mbështetësit e Berishës, dërgohen në spital

Sali Berisha ka deklaruar se një nga protestuesit është plagosur rëndë me një mjet i fortë të hedhur nga zyrat e katit të sipërm ku qëndron Basha me mbështetësit e tij. Sipas tij protestuesi i plagosur është nisur në spital për mjekim, ndërsa ky zhvillim pohohet dhe nga gazetarët e Fax News. Sipas gazetares Lusi Përgjegji nga katet e sipërme të godinës së PD-së po hidhen gurë dhe mjete të forta si karrige e tavolina në drejtim të protestuesve nga njerëz me maska dhe kapuçë.

Ndërkohë një tjetër protestues i lënduar në kokë akuzoi policinë e Shtetit duke e quajtur si policia e Lulzim Bashës se e kishte goditur në kokë dhe bëri thirrje për largimin e komunistëve nga selia e PD-së.

Sot po mbahet protesta kombëtare para selisë së PD-së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër kreut aktual Lulzim Basha.

Berisha kërkon largimin e tij nga drejtimi i partisë pas Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur prej tij dhe shkarkimit të Bashës më pas dhe në një referendum me anëtarësinë.

Bashës i ishte lënë afati 5 janar lirimi i zyrave dhe pas skadimit të këtij afati Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit njoftuan protestë për ‘rimarrjen e shtëpisë së tyre”. Berisha është në përplasje të hapur me Lulzim Bashën që prej 9 shtatorit, kur ky i fundit largoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-të. Menjëherë pas kësaj Berisha nisi turin e tij të ‘Foltores’ me anëtarësinë në të gjithë vendin, tur i cili kulmoi me Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin për shkarkimin e Bashës me 18 dhjetor të vitit që lamë pas. Sipas Komisionit të Rithemelimit, i ngritur për ristrukturimin e PD-së, Lulzim Basha është shkarkuar me mbi 44 mijë vota të anëtarëve të PD-së.

Ky i fundit e cilësoi procesin e shkarkimit të tij ilegjitim dhe të manipuluar, ndërsa theksoi se nuk do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike duke akuzuar Berishën se do të përdorë partinë për mbrojtje personale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme