Prokuroria gjermane ka ngritur aktakuzë kundër shefave të gjigandit të automobilave “Volkswagen”.
Shefi ekzekutiv Herbert Diess dhe ish shefi Martin Winterkorn dyshohen lidhur me manipulimin e tregut të aksioneve. Ky skandal ka të bëjë edhe me skandalin për gazrat e veturave.
Prokuroria e Braunschweig tha se personat e akuzuar nuk i kanë informuar me kohë investitorët lidhur me ndikimin financiar të skandalit të veturave me naftë.
Ndaj tyre kanë nisur procedurat kundër kompanisë gjigante për shkak të përdorimit ilegal të softuerit për matjen e gazrave të liruara nga veturat me naftë.
Kjo aktakuzë është pjesë e një procesi më të madh gjyqësor në përpjekje për t’i vërtetuar dyshimet për mashtrim të investitorëve.
Avokati i shefit ekzekutiv të Volkswagen-it tha përmes një deklarate se klienti i tij nuk ka pasur mundësi ta parashikojë rënien e tregut financiar dhe se ai do të vazhdojë ta mbajë pozitën kryesore në kompani, pavarësisht këtij rasti gjyqësor.
Winterkorn kishte dhënë dorëheqje disa ditë pas zbulimit të këtij skandali të madh.
Ai kishte deklaruar para ligjvënësve gjermanë më 2017 se nuk ka qenë i informuar për skandalin para se kompania ta pranonte fajin zyrtarisht.