Prokuroria Themelore e Gjakovës ka dhënë detajet e vrasjes së mbrëmshme në Gjakovë, ku 43 vjeçari nga fshati Bitesh i Gjakovës ka vrarë gruan dhe vajzën e tij e të mitur.
Siç njofton Prokuroria Themelore e Gjakovës më 7 gusht 2018, i dyshuari P.N., 43 vjeçar ka shkuar në shtëpinë e familjes së bashkëshortes pas orës 21:00 në lagjen Bretkoc të Gjakovës dhe me armën e tipit kallashnikov ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, V.N., 40 vjeçe dhe vajzën e tij të mitur K.N, 9 vjeçe.
Bëhet e ditur se i dyshuari është ndaluar me urdhër të kryeprokurorit Ali Selimaj, i cili së bashku me njësitë e policore rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes rreth orës 22:00, me ç’rast është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes.
Pas kërkimeve të shumta është gjetur edhe arma, me të cilën dyshohet se i dyshuari ka kryer aktin kriminal.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë marrë nga zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të kryer autopsinë.
“I pandehuri është në ndalim dhe ndaj tij do të kërkohet të caktohet masa për sigurimin e tij në procedurë. Hetimet në vazhdim do të tregojnë se cili ka qenë motivi i vërtetë i këtij krimi makabër”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, mediat raportojnë se pak orë para se dorasi të qëllonte me automatik gruan dhe vajzën e tij, i kishte dërguar një mesazh kërcënues në telefon gruas së tij. Kjo e fundit pak orë para vrasjes ishte ankuar në Polici për kërcënimin.
I dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në gjykatë.