Prokuroria e Mitrovicës ka intervistuar deri më tani 40 dëshmitarë për zbardhjen e rastit të vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq.
Mirëpo, deri tani nuk ka ndonjë gjurmë konkrete lidhur me autorin ose autorët e vrasjes.
Sipas këtyre burimeve, të gjitha provat e grumbulluara janë në përpunim e sipër nga Prokuroria në Mitrovicë.
“Deri tani janë intervistuar 40 dëshmitarë të rastit. Prokuroria është në shikim dhe hetim të incizimit të kamerave. Është gjetur makina dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me organet kompetente të Serbisë për lidhjen zinxhirore të gjetjes saktë të pronarit të veturës. Deri më tani nuk ka asgjë konkrete për kryerësit e kësaj vepre penale”, transmeton Telegrafit.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Besim Hoti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është duke u punuar për zbardhjen e rastit të vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq.
Sipas tij, të gjitha provat janë grumbulluar dhe prokuroria po merret me rastin.
“Të gjitha provat janë grumbulluar dhe tash i mbetet prokurorisë të merret me përpunimin e tyre. Policia e ka kryer punën e saj në terren”, tha ndër të tjera Hoti.
Ndryshe, Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018 në një atentat të organizuar para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.