Prokuroria kërkoi paraburgim për të dyshurin për spiunazh Bojan Jevtiq

Prishtinë | 18 Kor 2025 | 14:39 | Nga Gzim Mujaj

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për zyrtarin policor Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit, raporton Ekonomia Online.

Prokurori special Bekim Kodraliu deklaroi se gjatë bastisjeve në Kamenicë janë siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe personale që mbështesin dyshimin për përfshirjen e Jevtiqit në aktivitet të kundërligjshëm.

“Sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, një zyrtar policor i dyshuar për veprën penale të spiunazhit. Po ashtu, siç keni qenë të njoftuar edhe dje, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një aksion të gjerë në komunën e Kamenicës, respektivisht në shtëpinë e të pandehurit Bojan Jevtiq dhe objekte përcjellëse ku kemi siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe personale, e në bazë të të cilave kemi vërtetuar fuqishëm dyshimin e bazuar se i njëjti është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm, aktivitet i cili cenon rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, zyrtarëve të saj dhe qytetarëve të saj. Andaj kemi konsideruar se sot duhet të paraqesim masën e propozuar, respektivisht masën e paraburgimit”, tha Kodraliu.

Ai bëri të ditur se në mesin e provave të siguruara janë edhe dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës.

“Janë dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e rendit juridik dhe qytetarëve të saj. Për momentin, dhe për shkak të hetimeve që jemi duke zhvilluar, nuk mund të japim më shumë detaje, por në fazën e mëtejshme do të njoftoheni për provat dhe materialet,” u shpreh ai.

Prokurori Kodraliu tha se Jevtiq është kapur në posedim të një arme pa leje dhe sasive të mëdha të parave të pajustifikuara.

“Nga provat e siguruara dje kemi gjetur një armë të shkurtër pa autorizim të të pandehurit, një sasi të municionit, monedha, respektivisht një shumë të caktuar të parave të cilat ne dyshojmë që i pandehuri i ka përfituar duke kryer veprat penale. Janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë euro dhe 600 franga, të cilat deri më tani i pandehuri nuk ka mundur t’i justifikojë, të cilat ne konsiderojmë se janë rezultat i veprës penale të spiunazhit,” tha ai.

Të ngjashme