Prokuroria kërkon që Apeli ta kthejë Azem Sylën në paraburgim

Prishtinë | 13 Mar 2018 | 15:00 | Nga

Prokuroria Speciale pritet të ankohet në Gjykatën e Apelit, kundër lirimit të Azem Sylës.
Ekrem Lutfiu nga Prokuroria Speciale, ka thënë për Insajderi, se prokuroria deri më tash ende nuk ka marr vendimin nga Gjykata.

“Prokuroria ende nuk e ka marrë vendimin. Sapo ta marrin vendimin, atëherë Prokuroria do të ankohet”, ka thënë Lutfiu.

Të hënën, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj Azem Sylës, duke e liruar atë që të mbrohet në liri.

Më shumë se dy vjet hetime kishte zhvilluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për të ngritur aktakuzë ndaj Azem Sylës dhe 22 të pandehurve të tjerë – disa prej të cilëve dyshohen se ishin pjesë e grupit të tij – në tetor të 2016-s.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës akuzohej për një seri veprash penale që ndërlidheshin me krimin e organizuar.

Në aktakuzë ishin renditur 46 pika të akuzës për vepra penale duke përfshirë “krim të organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

E pas më shumë se një viti përballje me drejtësinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Azem Syla, i njohur si “Daja i madh”, është liruar gjatë ditës së djeshme – vetëm 20 ditë pasi rasti i tij u transferua nga gjykatësit e EULEX-it tek ata vendorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme