Prokurori Arben Ismajli ka kërkuar dënimin e Mexhide Shaqirit, Vjollca Kosumit e Hamide Zeqirit, që akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe mos-dhënie të ndihmës mjekësore, që ka rezultuar me vdekjen e pacientes Arbenita Selimi-Spahiu.
Fjalën e tij e ka mbështetur edhe pala e dëmtuar, në këtë rast burri i së ndjerës, që përveç dënimit, ka kërkuar edhe kompensim.
Përderisa prokurori Ismajli ka kërkuar nga trupi gjykues të mos merret parasysh super-ekspertiza, që për vdekjen e tashmë së ndjerës si shkak jepte lëngun amnial, pikërisht në këtë provë janë thirrur avokatët mbrojtës, duke kërkuar shfajësimin e të pandehurave.
“Nuk ka ekzistuar lidhje kauzore mes prezencës së mjekes dhe shkakut të vdekjes, siç edhe është vërtetuar me super-ekspertizë”, ka thënë avokati i Mexhide Shaqirit, Florent Latifaj, duke kërkuar lirimin e klientes së tij nga përgjegjësia penale.
Ngjashëm edhe avokatët e dy të akuzuarave të tjera, Vjollca Kosumi e Hamide Zeqirit në fjalën e tyre përfundimtare kanë kërkuar lirimin e klientëve nga përgjegjësia penale.
Aktgjykimi për këtë rast do të shpallet më 25 maj në Gjykatën Themelore të Gjilanit.