Prokuroria e Prishtinës ka vendosur ta mbyllë çështjen penale ndaj Leutrim Thaçit, djalit të vëllait të presidentit Hashim Thaçi.
Mediat në Kosovë patën raportuar për incidentit në mbrëmjen e 20 marsit 2013. Atëkohë ishte raportuar se Thaçi ishte shoqëruar në polici pasi ishte përfshirë në një zënkë me disa persona.
Dy vjet pas kësaj ngjarjeje është zbuluar se çështja ndaj Thaçit është mbyllur përfundimisht me një vendim të prokurorit Rrahim Podvorica.
Siç mësohet, rasti ndaj Leutrim Thaçit është mbyllur nga prokurori Podvorica më 22 janar të këtij viti.
Prokuroria e Prishtinës ngriti kallëzim penal ndaj Leutrim Thaçit në mars të vitit 2013 për shkak se dyshohej që e kishte ofenduar dhe kanosur të dyshuarin tjetër të këtij rasti D.F. Edhe për këtë të fundit policia kishte ngritur kallëzim penal për sulm fizik.
Mbylljen e këtij rasti prokurori Podvorica e ka arsyetuar me faktin se palët janë pajtuar.
“Sa i përket të dyshuarit të dytë L.Th., i dyshuar për veprën penale kanosje nga neni 185 paragrafi 1 i KPRK, i dyshuari i parë (viktima), D.F., kishte deklaruar se nuk dëshironte ta ndiqte penalisht të dyshuarin e dytë, pra L.Th., duke pohuar se “Unë jam i pajtimit…. që të pajtohem me L.Th,” thuhet në përgjigjen e prokurorit Podvorica.
Prokurori Podvorica më tej shton se si pasojë e pajtimit në mes të dyshuarve i është dashur të mbyllë këtë rast pasi që kanosja është vepër që ndiqet vetëm sipas propozimit të palës së dëmtuar.
Leutrim Thaçi është djali i Gani Thaçit, vëllait të Presidentit të vendit Hashim Thaçi.
Gani Thaçi, babai i Leutrim Thaçit dhe vëllai i Presidentit, nuk pati koment në lidhje me vendimin e prokurorisë për mbyllje të rastit ndaj të birit të tij.
“Unë nuk kam se çfarë të komentoj këtë rast sepse nuk përzihem në punët e drejtësisë. Nëse prokuroria e ka vlerësuar se nuk ka elemente dhe me mbyll rastin, ashtu kanë vendosur dhe s’kan çka të merrem me atë punë”, ka thënë Gani Thaçi. /KALLXO.com/