Prokuroria Themelore në Ferizaj pritet që në javën e parë të qershorit të vendos nëse do të zgjeroj apo do ti mbyll hetimet rreth aksidentit të dy policëve, Malsor Dashi dhe Armend Trena, të aksidentuar para një muaji në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari thotë për “Zëri” se kjo prokurori ka pranuar komplet lëndën e këtij rasti dhe shumë shpejt do të dal me një përfundim.
Megjithatë, sipas tij deri tash nuk ka asnjë dyshim tjetër përveç se një vet aksident i policëve.
“E kemi pranuar komplet lëndën nga ana e policisë. Tash jemi duke e shqyrtuar lëndën , të gjitha veprimet i kemi marrë, të gjitha provat janë siguruar dhe do të shohim a do të mbyllet rasti apo do të zgjerohet. Deri në këto momente nuk ka dyshime absolute. Bëhet fjalë për një vet aksident asgjë tjetër’, thotë kryeprokurori Jashari.
Kryeprokurori thotë se është intervistuar edhe i paraburgosuri, të cilin dy policët e kishin transportuar për në paraburgim në natën kritike. I paraburgosuri sipas tij ishte një punëtor i kompanisë Bechtel Enka.
“Është intervistuar edhe i burgosuri, të cilin në natën kritike dy policët po e transportonin për në paraburgim. Ky i burgosur ka qenë i dyshuar për rrahje, punëtorët e Bechtel Enka janë rrahur mes vete.
Tash jemi duke i shqyrtuar të gjitha provat dhe në javën e parë të qershorit e nxjerrim një vendim për mbylljen e hetimeve, apo zgjerimin e tyre”, ka treguar Jashari. Ndryshe, zyrtarët policorë Malsor Dashi dhe Armend Trena janë aksidentuar të shtunën rreth orës 20:45 në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik.
Aksidenti kishte ndodhur me 28 prill tek vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’, ku një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, në të cilën ndodheshin dy zyrtarët policorë kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi disa metra në rrjedhën e lumit Lepenc. Njësitet e ndryshme hetimore për rreth 10 ditë me radhë kishin bërë kërkime për gjetjen e trupave të policëve.