Prokuroria nis hetime për u.d Kreyshefen e Postës dhe një zyrtar që kishte bërë shkelje edhe më parë

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 11:09 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare për dy zyrtarë të lartë të Postës së Kosovës.

Demokracia.com nga burime të besueshme, jo zyrtarisht merr vesh se hetimet kanë nisur për ushtruesen e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Fakete Kadiu dhe Drejtorin e Burimeve Njerëzore, Petrit Karakashi.

Demokracia.com lidhur me fillimin e hetimeve ndaj dy zyrtarëve të Postës ka kontaktuar edhe me Prokurorinë, por ata nuk janë përgjigjur.

E për njërin prej zyrtarëve për të cilin Prokuroria ka nisur hetimet, nuk është hera e parë që ka bërë shkelje të ligjit.

Demokracia.com merr vesh se në vitin 2015, Petrit Karakashi ishte degraduar në pozitë nga Komisioni Disiplinor i Postës së Kosovës.

Demokracia.com, po ashtu, ka siguruar edhe vendimin për degradimin e tij në pozitë në të kaluarën.

Në atë kohë, Karakashi kishte mbajtur pozitën e koordinatorit për depo dhe logjistikë në Regjionin e Prishtinës dhe nuk kishte përmbushur objektivat e punës dhe performanca e tij nuk ishte e kënaqshme.

Komisioni Disiplinor kishte konstatuar se Petrit Karkushi me veprimet e tij ka bërë shkelje disiplinore të detyrave të punës që kanë të bëjnë me nenin 14 (k.n) të Kodit të Mirësjelljes së Punonjësve dhe Procedurave Disiplinore.

“I shqiptohet masa disiplinore: Ulja në Pozitë/Degradim, sipas Rregullores së kategorizimit të gradave të PK-së, referuar pikës 2 të Rregullores nr, 01-541/5, duke u bazuar në nenin 14.1 pika (k.n), të Kodi të Mirësjelljes së Punonjësve dhe Procedurave Disiplinore në PK Sh.A, kategoria e gradës me B, për 3 (tre) muaj”, thuhet në vendimin e asaj kohe. 

Demokracia.com ju sjell edhe dëshminë që e kishte dhënë Karakashi para Komisionit Disiplinor.

Të ngjashme