Prokuroria Themelore në Ferizaj ka lëshuar komunikatë për media lidhur me ukrainasen e cila u gjet e vdekur në autostradën Prishtinë-Ferizaj.
Dyshimet janë për aksident trafiku me fatalitet.
Njoftimi:
NJOFTIM PËR MEDIA
Ferizaj, 22 Shkurt 2024– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më 21.02.2024, në autostradën Ferizaj-Prishtinë, rreth orës 19:30, është gjetur pa shenja jete një person-shtetase e huaj (ukrainase) me iniciale O.K.
Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e saj.
Prokuroria me të gjitha institucionet tjera relevante janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, dhe rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku” me fatalitet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.